Geci: E respektuam Daut Haradinajn në daljen publike të UÇK-së, Rexhep Selimi e shkroi deklaratën

Duke folur në emisionin Pressing, bashkëluftëtari i Adem Jasharit, Xhevahir Geci ka dhënë detaje për orët e para të luftës së UÇK-së.

Ai ka folur kujton daljen e parë në skenë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, më 28 nëntor të vitit 1997, në fshatin Llaushë të Skenderajt.Geci ka dhënë detaje edhe për Daut Haradinajn, i cili si luftëtar nga Dukagjini, ishte një ndër tre ushtarët e UÇK-së që e bënë publike ushtrinë çlirimtare.

Ai ka thënë se Haradinaj ishte i gatshëm të ndihmojë me grupin e tij nga Dukagjini, saherë që ishte e nevojshme në Drencië.

“Pjesë e këtij organizimi kemi qenë, duke u nis komandanti Adem Jashari në shtëpinë e Sabit Gecit, Sylejman Selimi, Jetullah Geci, Sabit Geci, Abedin Rexha, unë, Sejdi Geci dhe disa të tjerë. Masandej ka ardhur edhe Daut Haradinaj, të cilit iu ka dhënë e drejta, të cilin e kemi respektu si pjesë e UÇK-së nga ana e Dukagjinit, të cilin sa herë kemi pasur nevoje vështirësi në Drenicë, gjithherë është përgjigjur pozitivisht nga grupi i Dukagjinit”, ka thënë ai.

Gjithashtu, Geci ka thënë se tekstin e deklaratës e kishte shkruar Rexhep Selimi dhe vetë e kishte lexuar.

“Është bërë një organizim i mirëfilltë. Tekstin e ka shkruar Rexhep Selimi. Ka qenë edhe Muja si figurë, që lehtë është kamufluar. Dauti ka qenë një djalë i ri, që nuk e ka njoftë dikush tjetër, përveç neve, grupit të UÇK-së”, ka deklaruar ai.

Në Pressing, Geci ka thënë se ka qenë vendim i Adem Jasharit dhe luftëtarëve të tjerë që UÇK t’i thotë ndal publikisht krimeve serbe mbi popullatën.

“Ka qenë një organizim edhe i komandantit Adem Jashari, por ka qenë vendim i yni i përbashkët që këta djem të dalin dhe të dalin t’i thonë stop dhunës, apartheidit, stop vrasjeve. Përmes deklarate kemi dashur t’i marrim të gjitha aksionet përsipër”, ka deklaruar ai.

Emisioni KËTU.