Geci e krahason fotografinë e fëmijëve me imponimin për vendosjen e shamisë

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së, Gani Geci, ka komentuar sot fotografinë ku disa fëmijë shihen me fotografinë e Vjosa Osmanit dhe kryeparlamentarit Glauk Konjufca.

Geci ka bërë një krahasim interesant për sa i përket fotografisë së publikuar sot.

“E dimë të gjithë që fëmijët s’e dinë çka është politika, por sigurisht se prindërit e tyre duhet ta dinë dhe e dinë se çka është politika, prandaj besoj se do të duhej të pyeteshin prindërit nëse është mirë ose jo që fëmijët të mbajnë një fotografi të një lideri politik, qoftë të kryetarit të Kuvendit ose presidentes”, ka thënë Geci.

Tutje, ai ka thënë se personalisht këto veprime i vlerëson negativisht.

“Unë personalisht këto gjëra i vlerësoj negativisht, sepse fëmijët s’e dinë politikën dhe indoktrinohen qysh në fëmijëri. Kjo jep me kuptu se një pjesë e fëmijëve që janë shkolluar në ato shkollat që hapeshin nga talibanët në Kosovë ku fëmijëve ua ngjitnin shamiat. Fëmijëve që ua ngjesin shamitë në klasë të parë ose dytë marrin një ideologji të mbrapshtë e cila s’i duhet Kosovës”, ka thënë Geci në Klan Kosova.