Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL UÇK), Gazmend Syla, ka reaguar ashpër ndaj kryeministrit të Kosovës Albin Kurti pas deklaratave të ministrit për Komunitete dhe Kthim Nenad Rashiq lidhur me çështjen e tokës së Manastiri i Deçanit.
Reagimi i Sylës erdhi pasi Rashiq deklaroi se, falë ndërhyrjes së tij, Kurti kishte vendosur që t’i transferohen rreth 24 hektarë tokë Manastirit të Deçanit, transmeton Ballkani.info.
Përmes një reagimi publik, Syla e akuzoi Kurtin për marrëveshje të fshehta dhe për veprime që, sipas tij, nuk janë rastësi. Ai përmendi edhe ngjarje nga e kaluara, duke thënë se Kurti kishte qenë i përfshirë në marrëveshje që nga koha kur ndodhej në burg.
“E ki në marrëveshje prej që je kanë në burg atje. As i mbulum me qebe në kerr të zyrtarëve të BIA-s në Dollc të Klinës, as kjo nuk janë rastësi”, thuhet në reagimin e Sylës.
Sipas tij, vendimi për tokën e Manastirit të Deçanit është i papranueshëm dhe ngre dyshime për mënyrën se si është marrë.
Çështja e 24 hektarëve tokë për Manastirin e Deçanit ka qenë prej vitesh temë e debatit politik dhe institucional në Kosovë, duke shkaktuar reagime të shumta nga partitë politike, organizatat e luftës dhe opinioni publik. /Ballkani.info/







