Gazetat e Vuçiqit i mbushin ballinat me urrejtje ndaj Kosovës pas vendimit për hapjen e urës mbi Ibër

Gazetat serbe, kryesisht ato që janë nën tutelën e regjimit të Aleksandar Vuçiqit, i kanë dhënë jehonë të madhe propaganduese vendimit të Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut për të hapur urën e Ibrit për qarkullimin e veturave.

Ballinat e së shtunës të shumicës së gazetave serbe nxisin përplasje dhe raportojnë njëanshëm për vendimin e Mitrovicës, duke ia hedhur fajin plotësisht kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

“Kurti po ngutet ta tërheqë veriun e Kosovës në konflikt”, kështu është titulli kryesore në numrin e sotëm të gazetës “Politika”, e cila njihet për qëndrim të fortë anti-Kosovë.

Edhe gazeta tjetër pro-Vuçiqit, “Novosti” ballinën e ka të mbuluar me titull tendencioz. “Kurti dëshiron gjakderdhje në Mitrovicës”, është titulli i kësaj gazete ku raporton për vendimin e këshilltarëve komunalë për hapjen e urës mbi Ibër.

Në të njëjtën vijë të raportimit është edhe ballina e gazetës radikale serbe “Kurir”. “Kurti e hap urën mbi Ibër, shqiptarët do ta pushtojnë Mitrovicën Veriore”, është titulli i lajmit i kësaj gazete.

“Alo”, një tjetër gazetë që i urren shqiptarët, shkruan se “Kurti po dëshiron luftë” me idenë e hapjes së urës.

“Telegrafi” duket më i përmbajtur në krahasim me pamfletet e Vuçiqit. Kjo gazetë e jep deri diku korrekt lajmin për hapjen e urës, mirëpo mbititulli tregon se edhe kjo e përditshme s’mund t’i rezistojë kapjes. “Plani për përndjekjen e serbë”, është mbititulli i “Telegrafit”.