Natasha Tishkeviq

Gazetarja ruse, kundërshtare e Putinit, thotë se u mbajt në aeroportin e Beogradit për 40 orë

Ish-gazetarja e revistës studentore ruse “Doxa” Natasha Tishkeviq, thekson se u burgos në aeroportin Nikola Tesla në Beograd për rreth 40 orë.

Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë nuk iu përgjigj kërkesës së Radios Evropa e Lirë në gjuhën serbe për të konfirmuar informacionin për burgosjen e gazetares ruse, si dhe për të treguar arsyen për të cilën ajo u burgos.

Ajo ka thënë se ka mbërritur në Beograd nga Malta më 7 gusht duke përdorur “Pasaportën për Turistët”, të cilën ia ka lëshuar Gjermania, ku ajo tani jeton. Megjithatë, asaj iu refuzua hyrja në Serbi.

“Këtë dokument e kam marrë nga Ministria e Punëve të Jashtme gjermane një vit më parë, sepse pasaporta ruse është konfiskuar nga policia ruse gjatë procedurës penale”, tha ajo.

Natasha Tishkeviq është një nga katër studentët që punuan për një revistë të pavarur studentore në Moskë dhe që në vitin 2021 u dënuan me dy vjet “punë korrigjuese” për një video në të cilën ata mbronin lirinë e tubimit të të rinjve rusë.

Sipas The Guardian, ata kanë qenë në arrest shtëpiak për gati një vit pasi u ndaluan në prill 2021 për postimin e një video tre minutëshe në YouTube, në të cilën ata thanë se ishte e paligjshme dëbimi dhe frikësimi i studentëve për pjesëmarrje në mitingje në mbështetje të kritiku i burgosur i Kremlinit, Alexei Navalny.

Ajo e konsideron mbylljen në aeroportin Nikola Tesla në Beograd si shkelje të të drejtave të njeriut.

“Ishte vërtet një paraburgim që nuk ka kuptim ligjërisht. Mund të prisja vetëm në aeroport. Kur policët më treguan qelinë pata një sulm paniku, por ata bërtisnin dhe insistonin që të futesha, përndryshe do të më fusnin në një burg të vërtetë”, tha ajo.

Siç ka treguar ajo, ka marrë pak ushqim gjatë 40 orëve në aeroport.

“Miqtë e mi u përpoqën të më jepnin ushqim përmes qendrës së informacionit në aeroport, por policia refuzoi”, tha ajo.

Siç tha ajo, më 9 gusht ajo u deportua në Maltë, nga ku do të kthehet në Gjermani.

Gjithashtu një aktivisti rus iu ndalua hyrja në Serbi më 13 korrik. Më pas themeluesi i Shoqërisë Demokratike Ruse, Peter Nikitin, u ndalua në aeroportin Nikola Tesla, gjithashtu “pa shpjegim”.

Nikitin është një aktivist kundër luftës, një organizator i protestave në mbështetje të Ukrainës dhe një kritik i qeverisë së presidentit rus Vladimir Putin.

Një tjetër aktivist kundër luftës nga Rusia, Vladimir Volokhonski, tha se kishte marrë një njoftim nga policia më 25 korrik se atij i ishte refuzuar qëndrimi i përkohshëm në Serbi.