Ish-gazetari i Radio Televizionit të Kosovës, Venhar Isufi, ka denoncuar një “tentim-vjedhje” të Kompanisë Kosovare për Distribuimin e Energjisë (KEDS), një muaj pasi kishte akuzuar KEDS-in për fryrje të faturave të energjisë.

Muajin e kaluar, gazetarit Isufi i shkoi në shtëpi një faturë e energjisë elektrike në vlerë prej 768 euro shpenzim të energjisë brenda muajit.

Kësisoj, ai tha se u ankua në departamentin e konsumatorëve në KEDS dhe kërkoi t’i ndërrohej njehsori elektrik. Kërkesa për ndërrim të njehsorit i ishte aprovuar.

Por, një muaj pas kësaj ngjarje, ai thotë se punonjësit e KEDS-it u paraqitën në shtëpinë e tij me urdhër për t’ia ndërruar njehsorin, ndonëse atë e kishte ndërruar para katër javësh.

“Veç shikone çfare tentim vjedhje deshti me bo përsëri KEDS sot në shtëpinë time. Me mëngjes kanë ardhë te dera, tha e kemi urdhër me ta ndërru njehsorin, i pyeta cila është arsyeja, tha nuk po e bon matjen në qendër”, tregoi ai.

Por, ai pretendon se njehsori i ri funksionon në rregull.

“Ndërkaq, në celular e kam të instaluar programin i cili çdo ditë me tregon sa Kw energji hargjoj edhe sa është kostoja, dmth, aty me tregon në detaje rreth njehsorit, pra, matja është ne rregull”, vijoi gazetari.

“Pasi qe tash po me vjen fatura aq sa konsumoi energji, atyre po ju dhemb, nuk po ka tash kush me pagu siç i kam paguar faturat e mëhershme, borgjet e dikujt tjetër, pasi që njehsori paraprak me kishte ardhur me borgj të dikujt tjetër, me numra serik te komunës se Podujevës”, vijoi gazetari Isufi.

Ai paralajmëroi padi ndaj KEDS-it për “vjedhje ndaj konsumatorëve”.

“kjo është hajni tipike, me mënyra politike, për ta zhvatur qytetarin, me ia hongër edhe bukën e gojës, në këtë kohë krize”, tha ai.