Gazetari bjellorus publikon pamjet, thotë se ushtria serbe është parë në protestat në Bjellorusi

Për disa ditë me radhë, pakënaqësia ka shpërthyer midis qytetarëve të Bjellorusisë, të cilët kanë ngritur zërin e tyre kundër regjimit të Aleksandër Lukashenko, presidentit të vendit.

Sipas medieve të huaja, përcjell Telegrafi, ata nuk duan të heshtin më dhe regjimi po bën gjithçka për të shuar protestat, por siç duket, po dështon.

Siç thuhet më tej, zemërimi i njerëzve është thjesht shumë i madh, ndaj pakënaqësitë e tyre u përshkallëzuan pas zgjedhjeve presidenciale, në të cilat u panë shumë parregullsi dhe vjedhje.

Për shkak të kësaj, një numër i madh i qytetarëve dolën në rrugët e Minsk, Brest, Grodno dhe qytete të tjera, ndërsa ushtria dhe policia e Bjellorusisë bënë gjithçka për të shuar me dhunë protestat.

Por çfarë bie në sy është një fakt i potencuar nga analisti bjellorus Franak Viacorka, sipas të cilit, të pranishëm, “në ndihmë të autoriteteve bjelloruse” u kishin shkuar edhe ushtarë serbë.

Këtë pretendim të tillë, ai e ka ilustruar edhe përmes disa fotografive, që i ka publikuar në profilin e tij në Twitter.

“Kam bërë një hulumtim të vogël, duket se forcat speciale serbe ishin të pranishëm në Bjellorusi dhe se ata mund të merrnin pjesë në ‘prishjen’ e protestave në Bjellorusi. Ushtarë serbë janë parë edhe sot në Brest”, ka shkruar Viacorka në Twitter.