Gazetari Agron Halitaj e ka sqaruar në detaje se si vendi futet në krize financiare, duke iu kundërvënë deputetëve dhe zyrtarëve të VV-së të cilët po mundohen të thonë se kjo nuk do të ndodh edhe nëse nuk formohet qeveria.

“Kushdo që e njeh sistemin e rregullimit shtetëror të Kosovës e di se duhen ndjekur tre hapa për formimin e institucioneve që dalin nga zgjedhjet e përgjithshme: i pari është konstituimi i Kuvendit, i dyti- formimi i Qeverisë, dhe i treti- krijimi i komisioneve parlamentare”, shkruan ai.

Ndërsa deputeti i VV-së, Hekuran Murati, sot përmes një postimi në Facebook ka shkruar se “Kosova nuk do të ketë krizë buxhetore. Kuvendi tashmë është konstituuar dhe krejt çka duhet është formimi i komisioneve parlamentare që të sigurohet funksionimi i plotë i institucionit”, përcjellë Ballkani.info.

Megjithatë, Halitaj e sqaron edhe këtë pjesë: “Pse kjo renditje? Sepse Kuvendi është organ mbikëqyrës i Qeverisë, dhe si i tillë duhet ta dijë saktë se cilat do të jenë resorët e ardhshme qeveritare mbi bazën e të cilave do t’i formonte Komisionet mbikëqyrëse. Duhet ta kemi parasysh se qeveria e dorëhequr i ka 21 ministri, ndërsa ajo që pretendon ta krijoj VV-ja, parashihet t’i ketë vetëm 12. Dhe tjera që është më qenësore, Legjislatura e shtatë nuk mund t’i miratoj projektligjet e hartuara nga Qeveria e cila ka marrë besimin nga Legjislatura e gjashtë”.

Postimi i plotë i Agron Halitajt:

Tendencat e zyrtarëve të Vetëvendosjes për të fituar sa më shumë kohë deri në arritjen e një marrëveshjeje për bashkëqeverisje me LDK-në, janë legjitime, sepse fundja janë ata të parët që do e bartin koston e zvarritjes së procesit të formimit të qeverisë së re. Çfarë nuk është e pranueshme nga ana e fituesve të zgjedhjeve është tendenca për t’i vënë në lajthitje qytetarët se gjoja vendi nuk do të futet në krizë financiare për faktin se tashmë kemi një Kuvend të konstituuar. Kushdo që e njeh sistemin e rregullimit shtetëror të Kosovës e di se duhen ndjekur tre hapa për formimin e institucioneve që dalin nga zgjedhjet e përgjithshme: i pari është konstituimi i Kuvendit, i dyti- formimi i Qeverisë, dhe i treti- krijimi i komisioneve parlamentare. Pse kjo renditje? Sepse Kuvendi është organ mbikëqyrës i Qeverisë, dhe si i tillë duhet ta dijë saktë se cilat do të jenë resorët e ardhshme qeveritare mbi bazën e të cilave do t’i formonte Komisionet mbikëqyrëse. Duhet ta kemi parasysh se qeveria e dorëhequr i ka 21 ministri, ndërsa ajo që pretendon ta krijoj VV-ja, parashihet t’i ketë vetëm 12. Dhe tjera që është më qenësore, Legjislatura e shtatë nuk mund t’i miratoj projektligjet e hartuara nga Qeveria e cila ka marrë besimin nga Legjislatura e gjashtë. Rrjedhimisht ky Kuvend nuk mund ta miratoj as Ligjin për buxhet të hartuar nga qeveria në detyrë. Qeveria Haradinaj është vetëm kujdestare- asgjë më shumë. Aktualisht kemi një qeveri që e ka humbur legjitimitetin dhe meqë pushtetet në Kosovë janë të ndara, Kuvendi nuk mund ta zëvendësoj në asnjë rrethanë pushtetin ekzekutiv. Përndryshe do të ishte e pavlerë dispozita kushtetuese që e përcakton se nëse 60 ditë pas mandatimit të kandidatit për kryeministër nuk formohet Qeveria, shpërndahet Kuvendi. Prandaj VV duhet të ngutet sa shumë për ta bërë Qeverinë nëse vërtet dëshiron ta shmang kolapsin financiar.

Koha është për veprim, jo për fjalë!