Gazeta zvicerane e fut Thaçin në listën e nëntë liderëve më të fuqishëm të botës

Në një artikull të publikuar ku flitet për nëntë liderët më të fuqishëm të botës, gjendet edhe presidenti i Kosovës Hashim Thaçi.

Në të njëjtën listë me Donald Trump, Emmanuel Macron, Angela Merkel, Nancy Pelosi, Vladimir Putin, Mohammed bin Salman, Theresa May e Viorica Dancila edhe presidenti i Kosovës konsiderohet si një nga liderët më të mëdhenj në botë, shkruan lajmi.net

“Blick” duke analizuar ndodhitë në Kosovë dhe formimin e Ushtrisë përkundër kundërshtimeve të Beogradit e ka konsideruar presidentin e Kosovës si një nga nëntë liderët më të suksesshëm të botës.
Gjithashtu, gazeta më e lexuar zvicerane siç duket e ka vlerësuar lartë edhe fjalimin e presidentit Thaçi në Këshillin e Sigurimit.

“Blick” ka shkruar se presidenti i Kosovës do të parandalojë një konflikt tjetër të madh në Ballkan.

“Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, si kryeministër në 2012 i shtrëngoi duart me homologun e atëhershëm serb. Këtë vit, marrëdhënia mes dy vendeve është përkeqësuar përsëri. Një zgjidhje e mundshme për konfliktin e bllokuar në Kosovë ishte shkëmbimi i një rrethi verior në Kosovë për një territor serb të banuar kryesisht nga shqiptarët. Në dhjetor, Thaçi njoftoi themelimin e ushtrisë së vet. Serbia, e cila kurrë nuk e ka njohur shkëputjen e Kosovës u tërbua. Në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, i cili u mblodh me nguti, gjithashtu erdhi deri te fjalosjet. Do të jetë detyrë e Thaçit për vitin 2019 që të vazhdojë të mbrojë pavarësinë e vendit të tij dhe të kontribuojë në stabilitetin e rajonit, pas themelimit të ushtrisë, pa e nxitur më tej konfliktin.”, shkruhet në artikullin e “Blick”, për presidentin Thaçi.