Editorial

Gazeta spanjolle për liberalizimin e vizave: Hap i ri i Kosovës drejt njohjes nga Bashkimi Evropian

Masa e re, e cila është zbatuar pas aktivizimit të sistemit të ri evropian të informacionit dhe autorizimit të udhëtimit, përcakton se kosovarët mund të hyjnë dhe të qëndrojnë maksimumi 90 ditë në vendet e bllokut.

E përditshmja spanjolle, “El Periodico Espana”, shkruan se Kosova pak nga pak po fiton më shumë njohje brenda Bashkimit Evropian (BE), ka transmetuar RTK.

E fundit, me fillimin e vitit të ri, ka qenë hyrja në fuqi e marrëveshjes së prillit të kaluar me Parlamentin Evropian që parashikon përjashtimin e vizave për qëndrime të shkurtra për qytetarët kosovarë që dëshirojnë të udhëtojnë në zonën Shengen, zonë që përfshin 23 vende të komunitetit së bashku me Islandën, Lihtenshtajnin, Norvegjinë dhe Zvicrën.

Masa e re, e cila është zbatuar pas aktivizimit të sistemit të ri evropian të informacionit dhe autorizimit të udhëtimit, përcakton se kosovarët mund të hyjnë dhe të qëndrojnë maksimumi 90 ditë, të rinovueshme pas gjashtë muajsh në vendet e bllokut.

“El Periodico Espana”, shkruan se një përparim për të cilin Kosova kishte punuar që nga pavarësia në vitin 2008, me të cilën edhe u nda përfundimisht nga Serbia, rreth 16 vjet më parë.

Kjo i jep fund anomalisë së Kosovës, një vend që vitin e kaluar paraqiti kandidaturën për të hyrë në BE, por që ishte edhe i vetmi në Ballkanin Perëndimor që nuk e gëzonte këtë liri për sa i përket vendeve të zonës Shengen.

Kjo gazetë shkruan se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shkuar këtë të hënë në aeroportin e Prishtinës për të përshëndetur një nga grupet e para të udhëtarëve që janë nisur për në Vjenë.

Nga ana tjetër, ajo që nuk ka marrë fund është polemika me Spanjën, një vend që nuk e ka kundërshtuar drejtpërdrejt masën, por ka mbajtur një qëndrim konfuz se si do ta menaxhojë vendimin e marrë.

Prillin e kaluar, zëdhënësi i Drejtësisë i Komisionit Evropian, Christian Wigand, zbuloi se Spanja ishte i vetmi vend që kundërshtoi njohjen e dokumenteve të udhëtimit të Kosovës.

“Qytetarët e Kosovës do të mund të udhëtojnë lirshëm me vizat e tyre në të gjitha vendet, përveç një vendi të Shengenit”, shtoi ai.

Risia është festuar nga Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri të Bashkimit Evropian (BE), spanjolli Josep Borrell.

“Një vendim historik i BE-së hyn në fuqi. Qytetarët e Kosovës nga sot mund të udhëtojnë në hapësirën pa viza të BE-së. Kjo sjell përfitime të rëndësishme si për Kosovën ashtu edhe për BE-në,” shkroi Borrell në llogarinë e tij personale në X , i njohur më parë si Twitter.

Edhe më euforik, Thijs Reuten, një eurodeputet holandez nga Aleanca Progresive e Socialistëve dhe Demokratëve, festoi masën duke deklaruar se “Kosova është Evropë”. “Më në fund! Pas viteve të vonesave totalisht të panevojshme, që nga sot, lirimi i vizave për udhëtim në BE është efektiv për të gjithë qytetarët e Kosovës. Hapi tjetër: procesimi i aplikimit për statusin e kandidatit”, komentoi ai Reuten.

Vendimi vjen gjithashtu pasi, në mënyrë të papritur, Serbia vendosi vetëm një javë më parë të lejojë automjetet me targa të Kosovës të hyjnë në atë vend, duke i dhënë fund kështu një krize që ishte përkeqësuar në dy vitet e fundit, në momente kur presidenti serb Aleksandër Vuçiq përballet me një situatë të re dhe me valë protestash qytetare kundër tij.