Gazeta polake e specializuar për raportime që lidhen me sigurinë “Defence24”, ka raportuar për vizitën që sot në Kosovë do ta zhvillojë zëvendëskryeministri polak dhe ministri i Mbrojtjes, Władysław Kosiniak-Kamysz.
Siç shkruan kjo gazetë, ministri polak do të takohet me ushtarët polakë që shërbejnë në kuadër të KFOR-it, në prag të Pashkëve dhe për të theksuar rëndësinë e përfshirjes së ushtarëve polakë në kuadër të trupave paqeruajtëse të NATO-s.
“Kalimi i kohës së bashku në Pashkë synohet të jetë një shprehje e mbështetjes dhe respektit për ushtrinë, si dhe një sinjal se roli i Polonisë në misionet ndërkombëtare – veçanërisht NATO – mbetet i palëkundur”, thuhet në shkrimin e gazetës polake me autor Aleksander Olech.
Gazeta polake teksa jep një historik të ngjarjeve të ndodhura 25 vite më herët, shkruan se “në Ballkan u shënua spastrim i ndërsjellë etnik i kryer nga milicitë serbe dhe shqiptare” dhe se NATO filloi operacionin me qëllim “të de-përshkallëzimit të milicive tërheqjen e njësive të rregullta dhe zëvendësimin e tyre me forcat ndërkombëtare (KFOR) nën komandën e NATO-s”.








