Sipas mediave serbe, në Berlin Kosovës iu bë një ofertë për heqjen e menjëhershme të vizave, e kjo nëse pezullohet taksa 100 për qind ndaj produkteve serbe.

Takimi i liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së, i mbajtur dje në Berlin me këmbunguljen e kancelares gjermane Angela Merkel dhe presidentit francez Emanuel Macron dhe çështjes së Kosovës në fokus, shënoi një sërë situatash të tensionuara që ishin në prag të një konflikti të hapur, mëson gazeta pro-Vuçiq, “Blic”.

“Akteri i të gjitha konflikteve të lartpërmendura ishte kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj i cili për herë të parë u ndesh me Macronin dhe më pas në disa raste me presidentin e Kosovës Hashim Thaçi”, shkruan kjo gazetë.

Sipas Blicit serb, presidenti francez personalisht insistoi dhe u përpoq të ushtronte presion mbi Haradinajn, që ta heqë taksën 100 për qind ndaj mallrave serbe.

Oferta sipas medias serbe ishte – liberalizimi i vizave në këmbim të një moratoriumi të taksës për gjashtë muaj.

Megjithatë, Haradinaj e hodhi poshtë atë dhe pastaj ka pasur një konflikt.

Macron, sipas informacionit nga burimet diplomatike të ‘Blic’, pati një qëndrim të fortë ndaj kryeministrit kosovar.

Konfliktet, siç i quan “Blic”, me të njëjtin protagonist, nuk kanë përfunduar aty. Një qëndrim të kundërt me Haradinajn në Berlin ka shfaqur edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe dy krerët e shtetit kanë qenë para një konflikti të hapur gjatë tërë kohës. Nuk është sekret, thotë gazeta beogradase, që Thaçi nuk e mbron taksën në mënyrë aq agresive sa Haradinaj, ndërsa ai ka shprehur gatishmërinë ta shfuqizojë atë. Thaçi, megjithatë, në anën tjetër ka folur haptas për të ashtuquajturin korrigjim të kufijve, por edhe për nevojën për rol udhëheqës të Amerikës në negociatat Kosovë-Serbi.

Një konflikt i hapur mes dy udhëheqësve kosovarë ka ndodhur gjatë pozimit për një fotografi të përbashkët të të gjithë pjesëmarrësve në Samitin për Ballkanin, në Berlin. Haradinaj e Thaçi, sipas “Blic”-it, nuk kanë dashur të qëndrojnë pranë njëri-tjetrit në fotografi.