Gazeta e afërt me Vuçiqin: Janë vënë në lëvizje MIG-ët, për “t’iu kundërpërgjigjur dronëve spiunë”

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka lëshuar një urdhër zyrtar të martën, duke kërkuar që të asgjësohen të gjithë dronët “armiqësorë” që futen në territorin e Serbisë, raporton “Veçernje Novosti”. Kjo gazetë njihet për afërsinë me presidentin serb dhe propagandën që shpërfaqë sidomos në raport me Kosovën.

Siç është njoftuar nga mediumi serb, Vuçiqi ka vendosur të marrë hapa pas një incidenti që thuhet se ndodhi në zonën mbi Merdar dhe në afërsi të Rashkës. Mediumi serb raporton se dronë të panjohur kanë vëzhguar kazermat dhe pozicionet e Ushtrisë së Serbisë.

Siç njoftohet, Vuçiq ka vendosur të ngre në qiell aeroplanët MiG-29, “për të vëzhguar territorin dhe për të intervenuar në rast të ndonjë sulmi”.

Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Milosh Vuçeviq, ka thënë të martën se me urdhër të Aleksandar Vuçiqit, Ushtria e Serbisë është ngritur në “nivel gatishmërie” për shkak të situatës në Kosovë.

Sipas tij, “Serbia është shtet serioz dhe prandaj askush s’duhet të luajë ‘lojëra lufte’”. “Nuk mund të jemi të qetë, por jemi për dialog”, ka theksuar ai, siç shkruan “Danas”.

Ai ka kërcënuar se “Ushtria e Serbisë është e gatshme të zbatojë çfarëdo vendimi nga Vuçiqi, si komandant suprem, për të mbrojtur të gjithë qytetarët e Serbisë, përfshirë serbët në Kosovë dhe askush nuk duhet të dyshojë në këtë”.

Në Kosovë ka nisur shkalla e parë e sanksionimit të atyre që përdorin targa ilegale të lëshuara nga Serbia dhe nuk i kthejnë në ato RKS. Masa e parë është ajo e qortimit. Qeveria ka vendosur që nga kjo datë të ketë shkallëzim sanksionesh: në tri javët e para qortim; nga 21 nëntori për dy muaj rresht shqiptim gjobash; nga 21 janari targa provuese; e nga 21 prilli zbatim të tërësishëm të vendimit.