Gaxherri: Nga vendimi i Kushtetueses del se Qeveria Kurti, presidentja Osmani e Kuvendi janë jolegjitimë

Kandidatja e Lidhjes Demokratike të Kosovës për deputete, Besa Gaxherri, duke komentuar aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese tha se vendimi ka lënë të kuptohet se jolegjitime kanë qenë edhe Qeveria Kurti, ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani por edhe legjislatura e fundit.

“Gjykata Kushtetuese ka marrë një vendim, të cilin ne mund ta diskutojmë, por ai është vendim. Edhe ne si LDK, ka gjëra me të cilat nuk pajtohemi”, tha fillimisht Gaxherri.

 “Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se jo veç vota e z. Arifi, por ka pasë shumë vota jolegjitime në Kuvend. Në bazë të kësaj, anipse nuk është shkruar shumë qartë, me atë vendim as Qeveria Kurti s’ka qenë legjitime dhe as kryetarja e Kuvendit s’ka qenë legjitime e as presidentja sot. Prandaj, neve me të drejtë na duket e padrejtë që Gjykata Kushtetuese t’i çojë deputetët në zgjedhje”, tha në mes tjerash ish-deputetja Gaxherri.

Ajo ka kërkuar që të respektohen vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

“Nëse ne si parti politike pajtohemi me Gjykatën Kushtetuese aty ku na pëlqen, e nuk pajtohemi aty ku nuk na pëlqen, nuk është shembull i mirë dhe është e papranueshme”, tha Gaxheri në “Kallxo Pernime”.