Gaxherri konfirmon përleshjen e Krasniqit dhe Sveçlës, Adriatik Kelmendi hyri t’i ndajë

Deputeti nga radhët e Vetëvendosjes, Xhelal Sveçla dhe ai nga PSD-ja, Frashër Krasniqi pas emisionit Rubikon në KTV, janë përfshirë në një përleshje fizike mes vete.

Lajmin për Zëri.info e ka konfirmuar deputetja nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Besa Gaxherri e cila tregoi se ky incident ka ndodhur pas emisionit Rubikon.

Gaxherri ka thënë se ka qenë dëshmitare e këtij incidenti dhe se autori i emisionit, Adriatik Kelmendi është marrë me dy deputetët duke tentuar t’i ndajë.

“Po janë përlesh mes vete. Fatkeqësisht ka ndodhë. Unë kam qenë dëshmitare por nuk e di qysh ja kanë nis vetëm kur i pash, vërtetë eskaloj situata. Adriatiku më shumë u mor me ta”, ka thënë për Zeri.info Gaxherii.

Ndërkaq, i ftuar në emision edhe deputeti nga Nisma Socialdemokrate, Enver Hoti i ka thënë Zëri.info se nuk është në disponim për t’u përgjigjur rreth këtij incidenti.

Përndryshe, deputeti Krasniqi kishte grushtuar më herët në studion e Klan Kosova edhe deputetin e Nisma-s, Milaim Zeka.