Trajneri i Milanit, Gennaro Gattuso nuk ka dashur të prononcohet lidhur me spekulimet që e lidhin sulmuesin suedez, Zlatan Ibrahimovic me një rikthim në “San Siro”.

“Rosonerët” ishin pranë arritjes të fitores së katërt në 5 ndeshjet e fundit në Serie A, teksa udhëheqnin 0-1 në udhëtim kundër Lazios, para se romakët të barazonin në minutën e 94-të me Joaquin Correan.

Te Milani u ndje mungesa e lojtarëve, me Bonaventuran, Biglian, Romagnolin dhe Musacchion që vuajnë nga lëndimet ndërsa Gonzalo Higuain ishte i supenduar.

Gattuso që u kritikua pasi që nuk përdori të drejtën për të bërë zëvendësime, në konferencën për shtyp pas ndeshjes tha se nuk ka kuptim të diskutohet për Ibrahimovicin.

“Do të shohim, por për momentin besoj se duhet të koncentrohemi në atë se çfarë kemi në dispozicion dhe se çfarë duhet të bëjmë. Nuk ka kuptim të flitet për këtë tani, më duhet të mendojë sesi mund ta bëjë ekipin të luajë në mënyrën më të mirë të mundshme. Tani do të shikojmë përpara pavarësisht se nuk pres lajme të mira nga futbollistët e lënduar, kështu që do të iu japim hapësirë atyre që nuk kanë luajtur shumë. Klubi ka qenë afër meje në momentet e vështira, çdo diskutim që kemi është për të mirën e Milanit”, deklaroi Gattuso.

Milani radhitet në vendin e 5-të në Serie A pas 13 javëve të zhvilluara, gjersa numëron një pikë më pak se Lazio që mban vendin e 4-të dhe të fundit që siguron kualifikimin për në Champions League.