Gati 700 qytetarë bëjnë termine për t’u testuar për COVID-19 në një klinikë në Skenderaj

Ministria e Shëndetësisë ka marrë vendim që edhe institucionet shëndetësore private të kryejnë teste për koronavirus.

Njëra nga klinikat e licensuara është “Preventiva” në Skenderaj, në të cilën janë bërë afër 700 termine për t’u testuar.

Nga kjo klinikë kanë thënë për Gazetën Sinjali se ka jashtëzakonisht shumë kërkesa nga Mitrovica, Vushtrria, Skenderaji, Prishtina e Drenasi.

“Sot vijnë prej Shkupit testet. Rreth 600-700 termine i kanë lënë qytetarët nga Mitrovica, Vushtrria, Skenderaji, Prishtina e Drenasi”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Ndonëse thanë se çmimet nuk do të jenë të larta, në përgjigje thuhet se testi me çmim 20 euro “nuk është test”.

“Nuk ka me pasë çmime të lartë, si krejt. Amo ai çmimi prej 20 eurove, ai nuk është test. Na 20 euro testin vetë e blejmë.”

Bordi Për Licensimin e Institucioneve Private Shëndetësore i ka licensuar 46 institucione private për të kryer teste për COVID-19.