Gaza

Gati 200 të vrarë që nga rinisja e luftimeve në Gaza, raportohet se Izraeli synon zonë neutrale

Izraeli kreu bombardime vdekjeprurëse në Gaza për ditën e dytë rresht të shtunën pas armëpushimit njëjavor me Hamasin, i cili nuk u vazhdua pavarësisht nga thirrjet ndërkombëtare.

Retë e tymit të hirtë nga sulmet u panë mbi Gaza, ku Ministria e Shëndetësisë, që menaxhohet nga Hamasi, tha se gati 200 njerëz janë vrarë që nga përfundimi i afatit të pauzës së luftimeve të premten herët, raporton agjencia AFP.

Të dyja palët e kanë fajësuar njëra-tjetrën për shkeljen e armëpushimit. Izraeli ka pretenduar se Hamasi ishte përpjekur që të hidhte një raketë para përfundimit të pauzës së luftimeve dhe se ky grup ka dështuar që të paraqesë një listë të re të pengjeve për t’i liruar.

“Ajo që ne jemi duke e bërë tani në Gaza është sulmimi i caqeve ushtarake të Hamasit në mbarë Rripin e Gazës”- tha të shtunën zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Jonathan Conricus.

Përderisa armiqësitë rifilluan, krahu i armatosur i Hamasit e pranoi “urdhrin për t’i rinisur luftimet” dhe “për ta mbrojtur Rripin e Gazës”, sipas një burimi të afërt me grupin.

Udhëheqës ndërkombëtarë e grupe të ndihmave e dënuan rifillimin e luftimeve.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, në rrjetin X shkroi: “Ndiej keqardhje të thellë që operacionet ushtarake kanë nisur përsëri në Gaza.”

Shefi i ndihmave humanitare në OKB, Martin Griffiths, tha: “Sot, brenda orësh, dhjetëra u raportuan të vrarë dhe të lënduar. Familjeve iu tha që të evakuoheshin, përsëri. Shpresa u thye.”

Frika për një konflikt më të gjerë rajonal u rrit, pasi Ministria e Mbrojtjes e Sirisë tha se qyteti Damask u godit nga sulmet izraelite të shtunën, ndërsa Hezbollahu tha se njëri prej anëtarëve të tij ishte vrarë të premten nga një sulm izraelit në Liban.

Agjencia “Reuters” citon burime egjiptiane e rajonale të kenë thënë se Izraeli ka informuar disa shtete arabe se dëshiron që të formojë një zonë neutrale në anën palestineze të kufirit të Gazës për të parandaluar sulme në të ardhmen si pjesë e propozimeve për enklavën pas përfundimit të luftës.

Sipas tri burimeve rajonale, Izraeli ua ka paraqitur planet fqinjëve Egjiptit e Jordanisë, si dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, shtet me të cilin i normalizoi marrëdhëniet në vitin 2020.

Burimet thanë se për këto plane është informuar edhe Arabia Saudite, edhe pse ky vend nuk ka marrëdhënie diplomatike me Izraelin dhe e ndërpreu procesin e normalizimit, të ndërmjetësuar nga ShBA-ja, pas shpërthimit të luftës në Gaza më 7 tetor.