Gastronomët takohen me u.d ministren e Shëndetësisë, diskutojnë për masat Anti-COVID

Përfaqësuesit e Shoqatës së Gastronomëve janë takuar sot me u.d ministren e Shëndetësisë, Dafina Gexha, për të diskutuar rreth masave Anti-COVID.

Nga kjo Shoqatë kanë bërë të ditur se kanë kërkuar që të lirohen masat që janë në fuqi.

“Kërkesa jonë dhe presioni i vazhdueshëm që jemi duke e bërë që më shumë se një muaj është lirimi i masave që janë në fuqi. Bashkarisht u zotuam dhe marrim përgjegjësi për respektimin e këtyre masave, me ç’rast edhe po e shohim që është evidente edhe nga gjendja e rehabilituar epidemiologjike që është tani. Aktualisht, gjendja e sektorit tonë është shqetësuese dhe rrjedhimisht edhe durimi i gastronomëve është shtjerrur për të operuar njëjtë”, është thënë nga kjo Shoqatë.

Sipas kësaj Shoqate, masat pritet që do të lirohen gradualisht, megjithse thuhet se nëse nuk do të ketë ndryshime deri të premten, të shtunën do të mblidhet Këshilli Drejtues i SHGK-së për të vendosur rreth shqyrtimit të protestës dhe padëgjueshmërisë së gastronomisë.

“Mirëpo në rast se nuk do të ketë ndonjë ndryshim deri këtë të premte më dt. 22/10/2021 në Mbledhjen e Qeverisë, atëherë të Shtunën me dt. 23/10/2021 do të mblidhet Këshilli Drejtues i SHGK-së për të vendosur rreth shqyrtimit të protestës dhe padëgjueshmërisë së gastronomisë”, thuhet tutje.