Gastronomët për vendimin e “gotës me ujë”: Ndërhyrje në biznes, kjo nuk është punë e Qeverisë

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur sot ka miratuar unanimisht Rregulloren për Furnizim me ujë të pijshëm në Objektet e Gastronomisë.

Kjo rregullore parasheh që të gjithë klientët të kenë qasje në ujë të pijshëm, ku sipas njoftimit zyrtar, lokalet do të shërbejnë ujë nga çezma, shkruan Demokracia.com.

Sipas rregullores së miratuar, objektet e gastronomisë duhet të pajisen me certifikatë të cilësisë së ujit nga ISHPK dhe ta ekspozojnë atë në lokale.

“Në rast se objekti furnizohet me ujë nga ujësjellësi publik, pronari i objektit nuk mund t’i ndalojë klientët të shërbehen nga uji i rubinetit”, thuhet në këtë rregullore.

Kryetari i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës (OHT), Hysen Sogojeva, ka thënë për Demokracia.com se ky është vendim i tepërt.

“Zakonisht në Shqipëri e kudo qoftë s’japin shërbime më ujë. Vetëm ato që dëshirojnë ta blejnë. Pra, është një irritim pak i tepërt. Uji paguhet çdo kund, sepse është shërbim e nuk po them se është luks me kafe”, ka deklaruar Sogojeva për Demokracia.com.

Ai ka thënë se kjo nuk është punë e Qeverisë, por e klientit.

“Të obligohen nuk është mirë. Nuk është kjo punë e Qeverisë. Klienti e vendos për shembull nëse ti s’i qet ujë, ai më nuk të vjen në lokal. Pra, klienti vendos për atë a është mirë e vetë këtë e sheh edhe pronari”, ka thënë tutje Sogojeva.

Si ndërhyrje në biznes e sheh këtë vendim edhe kryetari i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës (OHT), Hysen Sogojeva.

“Në një far forme është ndërhyrje në biznes, se nuk ka të drejtë ta kushtëzojë biznesin e të thotë “puno qishtu”, është vullnet i biznesit. Klientit shpesh duhet t’i ofrosh edhe diçka nga vetja”, ka thënë ai.

Sogojeva ka shtuar se sot ose nesër do të dalin me një reagim zyrtar si Odë e Hotelerisë dhe Turizmit./Demokracia.com/