Gashi: Veseli kryeministër – s’lejojmë askënd ta shantazhojë PDK-në për të qeverisur drejt

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) postin e kreut të Qeverisë nuk do ta dorëzojë me asnjë kusht, “siç ka bërë në dy rastet e fundit”.

Anëtari i Këshillit të Përgjigjëm të kësaj partie, Kujtim Gashi i tha Ekonomia Online se në zgjedhjet e parakohshme parlamentare kandidat për kryeministër do të jete kreu i partisë, Kadri Veseli. Ai thotë se zgjedhjet janë i vetmi opsion dhe se si parti janë të interesuar që vendi të bëhet me qeveri të re në mënyrë që përqendrimi të jenë në zhvillim ekonomik dhe integrim në mekanizmat ndërkombëtarë.

Gashi më tej ka shtuar me bindje se Kadri Veseli do të udhëheqë me qeverinë e re. “Është i qartë qëndrimi i PDK-së. Zgjedhjet janë i vetmi opsion në këto momente pas rrethanave të reja të krijuara. Si subjekt jemi të interesuar që vendi ynë të shkojë në zgjedhje dhe legjitimiteti t’i kthehet qytetarëve, sovranit dhe në mënyrën më të mirë të mundshme ta ketë Kosova një qeveri të re në muajt në vazhdim në mënyrë që vendi të ketë një drejtim ndryshe, të ri, me një qasje të re në kuptimin e zhvillimit ekonomik por edhe të integrimit të Kosovës në mekanizmat ndërkombëtar dhe kush më mirë se sa PDK-ja dhe lideri ynë, kryeministri i ardhshëm Kadri Veseli, do të mund ta bënte. Pra si subjekt jemi shumë të interesuar që të kemi zgjedhje. PDK-ja gjithsesi do të jetë e para dhe Kosova për një periudhë të shkurtër do ta ketë kryeministrin e ri, pra kryetarin e PDK-së, Kadri Veselin”, ka thënë ai.

Sipas Gashit, nuk do të ketë më kompromise për pozitën e kryeministrit siç ka ndodhur në dy mandatet e kaluara, “për hir të disa proceseve të rëndësishme nëpër të cilat ka kaluar vendi”.

“Në asnjë rrethanë (s’do të ketë më kompromise për postin e kryeministrit). PDK-ja është tejet e përgatitur për zgjedhje është shumë e qartë, pra nuk ka asnjë kompromis me pozitën e kryeministrit, ne për hir të disa proceseve shumë të mëdha e të rëndësishme që kanë ndodh në Kosovë edhe shumë zhvillimeve që kanë ndodh në vendin tonë, kemi bërë kompromise të ndryshme duke dhënë dy herë postin e kryeministrit por PDK-ja, strukturat e saja, kryesitë e degëve, nëndegëve, kryesia e partisë janë të vendosura që të i fitojnë zgjedhjet dhe Kosovën ta drejtoj kryeministri i ardhshëm, Kadri Veseli”, shprehet Gashi.

PDK-ja është e hapur për koalicion me të gjitha subjektet politike, thotë Gashi, por që ai shton se synim e kanë realizimin e programit të PDK-së.

“Ne si subjekt, siç e dini, jemi të interesuar fillimisht të i fitojmë zgjedhjet, jemi duke punuar në atë drejtim dhe pa dyshim që në kuadër të programit tonë, në kuadër të agjendës sonë për qeverinë e re do të shohim që cilat parti janë më të afërta në kuptimin e programit dhe pjesa e zhvillimit ekonomik sepse do ta kemi një fokus të veçantë të zhvillimin ekonomik, ndërmarrësinë, krijimin e vendeve të reja të punës, në mbështetje për të gjitha shtresat dhe gjithë sektorët në Kosovë dhe secili subjekt që është i përafërt me ne në këtë drejtim e do t’u ofrojmë mundësi, PDK-ja është e hapur për të gjitha subjektet politike, por gjithsesi synim parësor e ka realizimin e programit, zhvillimin ekonomik të vendit dhe subjekti politik që do ta ketë më të përafërt programin, sigurisht që do të jetë pjesë e qeverisë sonë të përbashkët”.

“Synimi i parë është të jemi subjekti i parë politik, të i fitojmë zgjedhjet, që nuk kemi asnjë dyshim, sepse të gjitha strukturat i kemi të gatshme në terren, shihet një entuziazëm dhe vullnet i madh për të punuar drejt fitores, kurse siç e dini Kosova ka në traditë të bashkëqeverisjes me komunitete, ka shumë parti të komuniteteve në Kuvend dhe ne do të ofrojmë bashkëpunim”.

PDK-ja, thotë Gashi, parapëlqen të qeveris me partitë që i shtyjnë përpara proceset e rëndësishme për vendin.

“…do të parapëlqejmë të bashkëqeverisim me partitë që janë konstruktive, që janë për t’i shtyrë proceset përpara, siç dihet në Kosovë ka edhe subjekte tjera të komunitetit serb që do u ofrojmë bashkëpunim, por para se të jemi bashkë në qeveri, do t’i qartësojmë të gjitha veprimet tona me secilin subjekt politik, pra nuk do të lejojmë askush ta shantazhojë në rrethana të caktuara PDK-në për të qeveris drejt vendin tonë”, theksoi ai.

Kryesia e Kuvendit ka marrë vendim të hënën që me 22 gusht të mbahet seanca ku deputetët do të vendosin për shpërndarjen e Kuvendit, pas dorëheqjes së kreut të ekzekutivit, Ramush Haradinaj.

loading…