Gashi tregon se kur do të votohet Qeveria Hoti: Besoj se LVV do ta kalojë shumë shpejt

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi, ka thënë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese pro dekretit të presidentit për mandatarin është në përputhje me Kushtetutën dhe ka qenë i pritshëm.

Gashi beson se para të hënës do të mbahet seanca për votimin e qeverisë së re.

“Pasi vendimi është nxjerrë në orët e vona ne akoma nuk jemi konsultuar, por besoj se do të konsultohemi. Procedura është shumë e thjeshtë, duhet vetëm një letër për Kryetaren e Kuvendit nga unë si Kryetar i Grupit Parlamentar ku caktojmë ditën dhe orën kur mbahet seanca, derisa të tjerat janë të përfunduara”, ka thënë ai.

Gashi ka theksuar se koalcioni LAN i ka votat e nevojshme për krijimin e qeverisë së re.

“Unë kam dorëzuar në Zyrën e Parashtresave të Kuvendit kërkesën për seancë me 61 nënshkrime dhe kjo çështja e votave nuk besoj se është më çështje diskutimi. Për formimin e qeverisë duhen të paktën 61 deputetë dhe unë minimumin e nevojshëm për formimin e qeverisë tashmë e kam dorëzuar”.

Ai thotë se beson që Lëvizja Vetëvendosje do ta kalojë këtë dhe se do të vazhdojë bashkëpunimi.

“Vetëvendosja e ka përkrahur këtë opsion kushtetues për Kosovën në vitet 2014 dhe 2017. Besoj se shumë shpejt do ta kalojnë dhe do të vazhdojmë të bashkëpunojmë, siç kemi bashkëpunuar në pushtet dhe opozitë. Lufta politike është e tillë”, tha ai.