Gashi thotë se në tekste gruaja shqiptare prezantohet si “bagëti”, e ajo serbe si “grua e shquar”

Publicisti, Shkëlzen Gashi ka një varg kritikash në lidhje me publikimet në projektin e historisë së përbashkët nga Qendra për Demokraci dhe Pajtim në Evropën Juglindore ku pjesë e disa vëllimeve ku kanë kontribuar autorë nga vende të ndryshme ndër të cilët edhe historiani nga Kosova, Frashër Demaj.

Gashi në Rubikon mes tjerash numëroi shumë gjëra për shqiptarët që nuk u përmendën fare, njofton Klan Kosova

“Është mirë që regjia me na i nxjerrë biografinë e dy anëtarëve të Shkencave të Arteve të Kosovës, Demajt dhe Bajraktarit sepse që të dy në biografitë e tyre të publikuara në uebsite e pranojnë se janë autorë të këtyre teksteve mësimore të botuara nga CDRSEE psh: Demaj e pranon se është autor i njësive për secilin nga këta gjashtë libra të publikuara nga CDRSEE sepse kishte moment kur nganjëherë kur ziheshin ngushtë këta edhe e mohonin se janë autorë të pjesëve ku flitet për shqiptarët dhe Kosovën”.

Gashi mes tjerash numëroi disa nga gjërat që nuk u përmendën për shqiptarët përgjatë historisë.

“Tek libri i parë ku përmendet Perandoria Osmane nuk potencohet askund përmendet shumë shkurtimisht beteja e Kosovës mirëpo nuk potencohet askund pjesëmarrja e shqiptarëve në këtë betejë”.

“Në betejën e Perandorisë Osmane dhe popujve ballkanik pjesëmarrës ishin edhe popujt tjerë e në mesin e atyre popujve edhe shqiptarët dhe kjo nuk përmendet askund në këtë libër”.

“Nuk figuron asnjëra nga kryengritjet e shqiptarëve kundër Perandorisë Osmane në librin e parë që është për Perandorinë Osmane, asnjë prej kryengritjeve të udhëhequra nga Skënderbeu – kur ua kritikon këtu Skënderbeun dikush këta ia “nxjerrin sytë” ndërsa kur shkojnë në Selanik me përfaqësuar Kosovën dhe shqiptarët nuk e fusin Skënderbeun dhe kryengritjet e tij fare – kjo për mua është skandali i parë”.

“Nuk paraqitet asnjë kryengritje as përleshja mes forcave osmane me ato austriake në vitin 1689, ku ka ndodh një përleshje e madhe mes dy fuqive të mëdha dhe shqiptarët kanë qenë të ndarë në dy kampe me Perandorinë Osmane ishte Mustafë Pashë Begolli me Perandorinë Austrohungareze ishte Pjetër Bogdani – kjo kryengritje dhe pjesëmarrja e shqiptarëve nuk prezantohet fare në tekstet mësimore të historisë në Selanik”.

“Nuk përmendet se shumë shqiptarë kanë arritur të bëhen pushtetarë në pozitat më të larta shtetore në Perandorinë Osmane – nuk prezantohet asnjë objekt i ndërtuar gjatë periudhës së sundimit Osman”, deklaroi Gashi.

Gashi ndër vërejtjet më të mëdha pati se si nuk reaguan rreth prezantimit të gruas shqiptare që në këto tekste prezantohet si “bagëti” ndërsa gruaja serbe si “grua e shquar e të gjitha kohërave”.

“Vetëm për gratë shqiptare këta kanë vendos me nxjerrë një paragraf sa është prej një libri të një autori anglez ku ai portretizon ekstremisht negativisht gratë shqiptare, ku thotë se kjo nuk do të thotë se gjendja e tyre dhe niveli i tyre arsimor nuk ka qenë kështu si e prezanton ky”.

“Pse vetëm për shqiptarët vendoset ky përshkrim dhe nuk vendoset për gratë e popujve tjerë – dhe pse autorët që përfaqësuan Kosovën, akademikët nuk reaguan ndaj kësaj nuk e kundërshtuan prezantimin e gruas shqiptare pse nuk thanë se nëse futet ky pasazh ne tërhiqemi prej këtij projekti”.

Gashi mes tjerash lexoi se si janë përshkruar gratë shqiptare.

“Nuk flas gjatë për shqiptarët por gratë e tyre pothuajse janë të paarsimuara dhe nuk flasin asnjë gjuhë të huaj përvec të tyres, konsiderohen si bagëti dhe konsiderohen si të tilla të detyruara të punojnë dhe të ndëshkohen shpesh nga goditjet, në të vërtetë ata (shqiptarët) kanë përbuzje dhe madje neveri për femrat e tyre”. kështu përshkruhet gruaja shqiptare.