Gashi shënon gol pas gati dy vjetësh

Më 23 shtator të vitit 2018, Shkëlzen Gashi kishte realizuar golin e fundit për Colorado Rapids në ligën MLS të SHBA-së. Ish-reprezentuesi i Shqipërisë është dashur të pres gati dy vjet të tjera për golin e ardhshëm kampional.

Pritjes maratonike i ka dhënë fund të shtunën kur realizoi golin e vetëm për Aaraun në humbjen 3:1 nga Wili. Ndeshja i takoi xhiros së parë të kategorisë së dytë të Zvicrës. Gashi është larg prej standardit që kishte vendosur dikur, kur ishte golashënuesi më i mirë në Superligën e Zvicrës. Për rrugëtimin e tij ka shkruar së fundi edhe sajti i njohur zviceran, “20min.ch”. Gashi realizoi pas asistimit të Liridon balajt, kurse Valon Fazliu e Bledian Krasniqi shënuan golat e fitores për Wilin. Në janar të këtij viti 32-vjeçari është kthyer në Zvicër te Aarau. Për kohë të gjatë kishte qëndruar te Colorado Rapids, duke mos luajtur por duke marrë pagë të majme. Në Zvicër më herët kishte shkëlqyer te Baseli e te Grasshoppersi.