Gashi: Nuk bëjmë koalicion me askënd, serbët erdhën të organizuar nga Serbia për të votuar

Xhafer Gashi, kandidat për kryetar të Obiliqit thotë se ai nuk i fitoi zgjedhjet në rundin e parë edhe për shkak të organizimit të serbëve të cilët erdhën nga Serbia vetëm për të votuar më 17 tetor. Ndërkohë ai thotë se s’do të bëjnë koalicione për balotazhin e 14 nëntorit.

Komentet Gashi i bëri në emisionin DPT te Fidani në T7.

“Kanë ardhur në mënyrë të organizuar dhe është votuar në mënyrë të organizuar”, tha Gashi.

“Në asnjë komunë tjetër ku ka komunitete të përziera s’ka pasur kandidat duke përfshi, Gjilanin, Lipjanin e Fushë Kosovën”, tha Gashi.

“Rreth 1100 vota i kanë pasur në votim”, shtoi ai.

Gashi tha se nuk do të bëjnë koalicione me askënd.

“Koalicion s’do të bëjmë me asnjë subjekt politik. Koalicionin do të vazhdojmë ta bëjmë me qytetarët. Kemi informacione nga terreni që një pjesë e qytetarëve që kanë qenë të renditur nëpër subjekte të tjera e që tash nuk janë në garë mund të bashkohen në votim, kurse koalicione s’do të ketë”, tha Gashi.

Por pse janë kundër koalicioneve?

“Sepse deri më tani rrugëtimin e kemi bërë bashkë me qytetarët. Në Kryesi është nxjerr një vendim që s’do të ketë koalicione. Qëndrojmë mirë edhe me Asamble. I kemi 9 asamblistë nga 21 dhe nuk do të kemi nevojë për koalicion por do të vazhdojmë të qeverisim me qytetarët”, shtoi Gashi.

Sipas KQZ’së Xhafer Gashi në rundin e parë të zgjedhjeve mori 5.880 ose 48.25 për qind të zgjedhjeve. Në balotazh ai do të përballet me Halil Thaçin e VV’së i cili mori 2.437 ose 20,00%.

Emisionin e plotë mund ta shihni KËTU.