Gashi kërkon nga Komuna e Prishtinës hapësirë për ndërtimin e shtatores së Vokrrit dhe statujës së Kelmendit

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, përmes dy letrave të nënshkruara sot me ane të së cilave i është drejtuar kryetarit të Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti, ka kërkuar nga ai që të sigurohen dy lokacione, njëra për vendosjen e shtatores së Legjendës së Futbollit Kosovar “Fadil Vokrri” dhe tjetra për vendosjen e statujës për Kampionen me famë botërore Majlinda Kelmendi.

Me këtë rast, ministri Gashi tha se “kam kërkuar nga kryetari i komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti që të bëhet ndarja e një lokacioni të përshtatshëm afër Stadiumit “Fadil Vokrri”, për të vendosur shtatoren e legjendës së Futbollit Kosovarë Fadil Vokrri. Në shenjë falënderimi për kontributin e dhënë ndër vite në fushën e sportit Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka vendosur që të ndërtoj shtatoren për legjendën e futbollit Kosovar të ndjerin Fadil Vokrri”.

Po ashtu, Gashi kërkoi që të ndahet një lokacion i përshtatshëm për vendosjen e statujës së Majlinda Kelmendit.

Tha se “duke marr parasysh sukseset e xhudistës me famë botërore dhe fituese së Medaljes së Artë në Lojërat Olimpike si dhe fituese së shumë kampionateve dhe garave ndërkombëtare, Federata Botërore e Xhudos ka vendosur për ta nderuar me ngritjen e një statuje ne Kryeqytetin e Republikës së Kosovës në Prishtinë”.

loading…