Gashi i jep edhe një goditje Kurtit, thotë se nuk u konsultua me LDK-në për letrat që ua dërgoi Trumpit e Pompeos

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka thënë se LDK nuk ka qenë e konsultuar për letrat që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ia ka drejtuar presidentit të SHBA-së, Donald Trump dhe sekretarit të Shtetit Mike Pompeo.

“Sa i përket letrës së Kurtit, kemi akoma paqartësi në botëkuptimin e qeverisjes. Dërgimi i njëanshëm i letrave nuk i ndihmon as çështjes së Kosovës përballë partnerëve ndërkombëtarë, as partnerëve të koalicionit. Kurti para se të nis letrën është dashur ta dakordohet me partnerin e koalicionit. Nuk ka pasur konsultim e as dakordim për përmbajtjen e asaj letre”, ka thënë ai.

Ai ka refuzuar të deklarohet nëse Mustafa I ka dërguar letër presidentit Donald Trump ose sekretarit të Shtetit, Mike Pompeo.

Gashi tutje ka shtuar se nuk dëshiron ta shoh Kosovën në gjendjen kur SHBA-ja do të vendosë sanksione ndaj saj.

Ai thotë së ka zëra në të gjitha institucionet se do të ketë rikonsiderim të përkohshëm të projekteve që zhvillohen në Kosovë.

Gashi thotë se në seancën e fundit për taksën, kishte darkordim të të gjitha partive përveç AAK-së se ajo duhet të hiqet.

“Ekziston një perceptim i përgjithshëm që tarifa duhet të hiqet sepse është shndërruar në problem për Kosovën, nuk e kuptoj pse duhet të tregojmë kryeneçësi për një çështje që ka dakordim për heqje”, ka thënë ai.

Duke folur për kërkesën e presidentit për seancë, ai ka thënë se Thaçi nuk ka dashur që seanca të mbahej.

Sipas tij, qëllimi i letrave të tij, ishte më shumë që të mos shkonte në Kuvend të raportonte.

“Thaçi ka dërguar dy letra për të ardhur në Kuvend, por qëllimi i letrave ka qenë të mos vije, letra e parë ka qenë një letër jo institucionale se Thaçi do t’i drejtohet Kuvendit. Letra e parë është dërguar nga sekretari i Përgjithshëm i Presidentit te sekretari i Kuvendit, e ne e dimë që sekretarët nuk thirrin seanca. Ndërkaq letra e dytë ishte me gabime në referimin e neneve, presidenti e ka të drejtën e thirrjes së seancave të jashtëzakonshme dhe Kuvendi do të ishte i detyruar të mblidhej. Presidenti ka dashur të krijojë përshtypjen që ka dashur ta thërras Kuvendin, e pastaj sikur mazhoranca nuk ka dashur ta dëgjojë e pastaj iu drejtua mediave”, ka thënë ai.

Ai thotë se presidenti do të duhej t’i drejtohej popullit nga Kuvendi.

Gashi thotë presidenti e ka ditur se nëse thirr seancë të jashtëzakonshme, aty do të kishte debat, e sipas tij, këtë nuk e ka dashur Thaçi.

Ai thotë se nëse presidenti mbetet pranë kërkesës për seancë, ajo mund të caktohet javën tjetër.