Gashi: 20 kosovarë do të ishin në Kuvend të Serbisë po të nënshkruhej dokumenti skandaloz i Rambujesë

Analisti politik, Shkëlzen Gashi ka thënë se për fatin e mirë të Kosovës nuk u nënshkrua Marrëveshja e Rambujesë nga ana e Sllobodan Millosheviqit.

Dokumentin e kësaj marrëveshje Gashi e ka quajtur skandaloz, njofton Klan Kosova.

“Ne morëm më pak se Kushtetuta e vitit 1974 në këtë dokument. Çka do të ndodhte po të nënshkruhej prej Serbisë ky dokument? Kosova do të kishte të drejtë t’i dërgonte 20 deputetë në Kuvendin e Serbisë. Disa prej përfaqësuesve politikë do të shkonin atje dhe do të bëheshin kolegë me Vojisllav Sheshelin. Për fat të mirë nuk mbeten në Kosovë 2500 policë serbë dhe 1500 ushtarë nuk mbeten”.

Gashi në Rubikon ka thënë se delegacioni kosovar është dashur të tërhiqet nga nënshkrimi që ka vënë në Marrëveshjen e Rambujesë pas vrasjeve të shumta që ndodhën pas saj në Kosovë.

“Pse është dashur të hiqet dorë nga kjo marrëveshje? Sepse 80 përqind e njerëzve të vrarë në Kosovë janë pas Marrëveshjes së Rambujesë dhe deri më 10 qershor. Kur është mbajtur takimi me Madeleine Albright më 8-9 qershor, delegacioni i Kosovës është dashur të thotë se e kanë nënshkruar këtë marrëveshje, por se pas nënshkrimit të saj janë vrarë 10 mijë qytetarë të pafajshëm dhe 1 milion njerëz janë deportuar, ka pasë dhunime dhe shkatërrime dhe se kjo marrëveshje nuk është më valide”.

Gashi tha se Kosova s’do të kishte mundur të ndahej me Serbinë pa luftë.

“Një prej meritave më të mëdha të Ibrahim Rugovës, përveç internacionalizimit të çështjes së Kosovës është edhe evitimi i konfliktit apo shtyrja e tij. kjo për mua është prej gjërave më të mira. Mirëpo pas vitit 1995 kur kryhet Dejtoni dhe s’ka asgjë unë mendoj se ne është dashur të jemi të përgatitur për luftë”.