Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu ka njoftuar për një takim të strukturave të kësaj partie me mbështetësit në Bazel të Zvicrës.
“Bashkë me dy prej figurave më kontributdhënëse të çështjes kombëtare, gjeneralin Sami Lushtaku dhe Adem Grabovcin, te shoqëruar nga Kryetari i PDK- së në Zvicër në një takim të organizuar nga nëndega e PDK-së në Bazel të Zvicrës e cila udhëhiqet nga kryetari Xheladin Shala, takuam qindra simpatizantë dhe aktivistë të Partisë Demokratike”, ka shkruar Musliu.
Sipas saj, besimi i tyre se Partia Demokratike është e vetmja alternativë për të ardhmen e Kosovës ishte shumë mbresëlënës.
“Të jesh anëtar i Partisë Demokratike është të jesh anëtar i kauzës së vërtetë kombëtare thanë të pranishmit të cilët prezantimet e mysafirëve nga Kosova i pritën me duartrokitje frenetike. Mërgata jonë e vlerëson lartë kontributin e Partisë Demokratike në ndërtimin e shtetit të Kosovës dhe kontributin e themeluesve të saj për çlirim dhe pavarësi. Para tyre ne dolëm faqebardhë sepse nuk i kemi gënjyer asnjëherë, nuk i kemi shfrytëzuar dhe nuk i kemi nënçmuar. Ne jemi të hapur dhe të sinqertë dhe për ditë e më shumë do të vërtetojmë se PDK dhe mërgata janë një dhe të bashkuar në atdhedashuri dhe në punë për komb dhe shtet”, ka shkruar Musliu. /Ballkani.info/






