Ganimete Musliu i del në krah Saranda Bogujevcit, thotë se liria mban emrin e saj

Deputetja nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës i ka dalë në krah deputetes së VV-së, Saranda Bogujevci, pas deklaratës së zëvendëskryeministrit Driton Selmanaj për të pagjeturit.

Në llogarinë e saj në Facebook, Musliu ka publikuar një fotografi të Bogujevcit nga ekspozita në Beograd, ku ishin ekspozuar të gjitha krimet që janë bërë ndaj familjes Bogujevci.

“LIRIA KA EMËR! #SarandaBugujevci”, ka qenë mbishkrimi i kësaj fotografie.

Ndryshe, gjatë natës së mbrëmshme, zëvendëskryeministri Selmanaj ka pasur një përplasje verbale me drejtorin e Gazetës Insajderi, Parim Olluri, në emisionin Pressing në T7 lidhur me çështjen e të pagjeturve në luftën e fundit në Kosovë.

Olluri ka thënë se Bogujevci, një e mbijetuar nga masakra në Podujevë, ka të drejtë të flasë për çështjen e të pagjeturve. Megjithatë, Selmanaj ka replikuar se “jemi lodhur me gjëra të tilla”.