Përplasje

“Gane kush po rren”, Peci i reagon sërish Musliut pas përplasjes në Kuvend

Ministri i Bujqësisë, Faton Peci ka reaguar sërish pas përplasjes që kishte në seancën e Kuvendit me deputeten e PDK-së, Ganimete Musliu.

Musliu kishte kërkuar nga ministri Peci të tregojë në cilën datë e ka anuluar thirrjen për grante dhe ku e ka publikuar, pasi sipas saj, vendimi nuk është i publikuar në web faqen e ministrisë.

Pas kësaj përplasjeje, Peci e ka publikuar në llogarinë e tij në Facebook këtë vendim.

Ai tha se është ofenduar nga deputetja Musliu, por shtoi se detyrat publike e obligojnë që t’i përgjigjet me seriozitet edhe njerëzve “joserioz” siç e quan ai deputeten Musliu.

“Gane, në raportimet e angazhimeve për punën 100 ditëshe të kësaj Qeverie e kemi prezantuar këtë vendim në mësim e vendimeve që kanë parandalu vazhdimin e abuzimeve financiare me grante e subvencione. Po ju sjelli me foto vendimin dhe xhirim ( njëren nga intervistat, bile FOL HAPUR). Gane, kush po rren”, ka shkruar Peci në Facebook.

Postimi i plotë:

Gane, unë nuk rrej.

Deputetja e PDK-së Ganimete Musliu më ofendoi sot në seancën e Parlamentit dhe paska vazhduar me ofendime edhe jashtë sallës. Detyrat publike na obligojnë që t’i përgjigjemi me seriozitet edhe njerëzve jo serioz, qofshin ata edhe deputetë e madje edhe nëse në pyetje është Ganja. “Nuk po i lypi arsyet pse është anulu, është e drejtë që ju e keni vendosur me e anulu, më intereson me e ditë shkurt dhe sakt, me cilën datë është anulu, është marrë vendimi për anulim, dhe me cilën datë është publiku sipas juve dhe ku është publiku, sepse fermerët këtë pyetje ma bëjnë vazhdimisht..”

Nga ky citat i Ganes shpërfaqen disa të vërteta, si: Ganja e pranon që anulimi ka qenë vendim i drejtë dhe se për të është më e rëndësishme nëse ministri e din datën e saktë të vendimit për anulim. Ganes këtë pyetje po ia bëjkan vazhdimisht fermerët sepse kështu ka qenë mënyra e funksionimit të Qeverive të mëparshme, kur një deputet/e ka marrë rol për aplikimin, vlerësimin, përfitimin dhe madje e paskan pasur obligimin e llogaridhënies nëse diçka i ka dalur jashtë kontrollit. Po Gane për besë “ka dalë situata nga kontrolli” edhe ato zyrat që janë kontraktuar në të kaluarën për hartimin e projekt propozimeve, që “fiton grant sigurt” nuk kanë më vlerë. Kanë ndrru senet Gane. Kjo është mënyra tipike siç kanë funksionuar raportet klienteliste në Qeveritë e mëparshme me të cilat ne po përballemi në secilën ditë të punës. Meqë e paska këtë rol, Ganes i them që t’ia përcjellë fermerëve (atyre të vërtetëve) përkushtimin e Qeverisë Kurti 2 se të gjitha masat e reja janë ekskluzivisht në favor të tyre dhe se në të ardhmen nuk do të kenë nevojë për Ganen dhe Ganet tjera. Mes fermerëve dhe Ministrisë nuk do të jenë Ganet por vetëm procedurat dhe kriteret e qarta, lehtë të kuptueshme dhe transparente.

Gane, shikoj aksionet e arrestimeve për subvencione, në të ardhëm ku e di unë ndoshta do të kemi sihariqe tjera për grante…

Gane, në raportimet e angazhimeve për punën 100 ditëshe të kësaj Qeverie e kemi prezantuar këtë vendim në mësim e vendimeve që kanë parandalu vazhdimin e abuzimeve financiare me grante e subvencione. Po ju sjelli me foto vendimin dhe xhirim ( njëren nga intervistat, bile FOL HAPUR).

Gane, kush po rren?