Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola ka kërkuar nga Gabriel Jesus të rivalizojë me sulmuesin tjetër të skuadrës, Sergio Agueron, derisa 21 vjeçari është i kënaqur me këtë rivalitet.

Jesus shënoi një gol ndaj Rotherhamit në ndeshjen e fundjavës së kaluar të vlefshme për FA Cup, ndërsa mbrëmë kundër Burtonit realizoi 4 gola, që njëherish ishte 4 golëshi i parë për të në karrierë.

Gabriel Jesus synon tashmë të jetë startues në ndeshjen e së hënës kundër Wolves, me Agueron që pritet të jetë në bankën rezervë.

“Sergio është një legjendë këtu, i rëndësishëm për klubin dhe lojtarët gjithashtu. Unë jam këtu për të ndihmuar skuadrën, Agueron dhe trajnerin. Unë dëshiroja që të kënaqem nga loja dhe të shënoj gola. Aguero ka shënuar shumë gola për Cityn dhe unë e respektoj atë si legjendë e klubit. Ishte shumë e rëndësishme në anën mentale të rikthehesha te goli”, deklaroi Jesus.

Sulmuesi brazilian ka shënuar vetëm 3 gola në 16 paraqitje këtë sezon në Premier League, me ish anëtarin e Palmeiras që këtë formë e lidhë me periudhën e lodhshme pas Kampionatit Botëror.

“Viti i kaluar ishte i vështirë për mua shkaku i Kupës së Botës, por tani e kam harruar këtë. Mendoj se në Kupën e Botës kam luajtur shumë mirë por nuk arrita të shënoj. Jam i lumtur që aktualisht familja ime ndodhet këtu në Manchester, të martën kthehen në Brazil por kjo është jeta”, përfundoi Gabriel Jesus.