Kërkohet tërheqja

Gabimi i Mehmet Krajës i kushton fjalorit enciklopedik të Kosovës

Shkodran Imeraj në emër të Institutit të Historisë përmes një reagimi për media, ka kërkuar që të tërhiqet “Fjalori Enciklopedik i Kosovës”, i botuar ditë më parë nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës.

Kjo është kërkuar me arsyetimin se kryeredaktori i fjalorit, Mehmet Kraja ka gabuar në disa aspekte të historisë.
Ky është reagimi i plotë:

Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës gaboi rëndë me Fjalorin Enciklopedik të Kosovës

Para disa ditësh institucioni më i lartë shkencor i Republikës së Kosovës, Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës (ASHAK), botoi për herë të parë “Fjalori Enciklopedik i Kosovës” vëllimi I-II, një nga projektet më të mëdha shkencore në historinë e shtetit tonë. Vëllimet e kësaj vepre janë përgatitur për botim nën përkujdesjen e anëtarit të ASHAK-ut, akademik Mehmet Kraja, dhe në hartimin e saj kanë marrë pjesë mbi pesëqind (500) tekst shkrues.

Duke shfletuar këtë vepër, sidomos zërat që i takojnë periudhës 1945-1999, sheh se në atë periudhë pa “dashje” apo me “qëllime” të caktuara, janë devijuar shumë ngjarje dhe personalitete historike.

Reagimi im si historian, ka ndërlidhet me tri segmente të rëndësishme të historisë sonë, në të cilat kryeredaktori i saj, akademik Mehmet Kraja, ka gabuar rëndë:

– Aty nuk janë përfshirë ish-delegatët e Kuvendit të Kosovës, të cilët më 2 korrik të vitit 1990 miratuan Deklaratën Kushtetuese dhe më 7 shtator të vitit 1990 miratuan Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Disa prej tyre janë futur në mënyrë selektive.

– Po ashtu, është e habitshme se si nuk janë përfshirë as deputetët e Kuvendit të Kosovës, të cilët më 17 shkurt 2008, shpallën Kosovën shtet të pavarur dhe sovran, pavarësi kjo e njohur më shumë së gjysma e botës demokratike.

– Është edhe më absurde se si në këtë vepër nuk janë përfshirë të gjithë Heronjtë e Kosovës, të cilët me dekrete të veçanta janë nderuar me këtë titull nga institucioni i Presidentit, pra nga Presidenti Ibrahim Rugova e deri tek Presidenti Hashim Thaçi.

Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, është mirë që të tërheq këtë vepër dhe vetëm kur të behën plotësimet e duhura të hidhet në publik.