Gabimet drejtshkrimore të deputetëve, Rugova fajëson sistemin shkollor në Kosovë

Disa nga deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë bërë gabime drejtshkrimore gjatë plotësimit të Formularit për Broshurën Parlamentare. Shumë prej tyre s’kanë ditur që ta shkruajnë fjalën “shqiptar”.

Mandatin si deputetë, e fituan më 14 shkurt.

E një muaj më pas, të zgjedhurit e popullit, për regjistrim zyrtar si deputetë e plotësuan këtë formular.

Por, ajo çfarë ra në sy të disa prej tyre, ishin gabimet e shumta gjuhësore, të shefit të grupit parlamentar të PDK- së, Abelard Tahirit dhe disa deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje.

Ndërkohë, këto gabime në drejtshkrim, sipas gjuhëtarit dhe profesorit universitar në Fakultetin e Filologjisë, Bardh Rugova, janë shqetësuese.

Por, Rugova thotë se një gjë që duhet të merret parasysh, është fakti që shumë nga deputetët, studimet i kanë kryer jashtë Kosovës.

Ndërkohë, përveç gabimeve drejtshkrimore, deputetët e Kuvendit të Kosovës, në këtë formular zyrtar, shfaqën edhe kreativitetin e tyre.

Megjithatë, këta deputetë të shkolluar jashtë apo në Kosovë, nuk e shkruajnë saktë gjuhën shqipe.

E ka të tillë që janë pjesë e legjislativit, por që kanë të përfunduar vetëm shkollën fillore. 

Deputeti Fadil Gashi nga Romani Iniciativa sipas përshkrimit të biografisë në faqen zyrtare të Kuvendit, ka të përfunduar vetëm nivelin fillor të arsimit.