Paris Saint-Germaini ka dëshmuar pse është fitues në fuqi i Ligës së Kampionëve.

Ndonëse me mungesa të shumta, PSG-ja fitoi ndaj Barcelonës në ndeshjen kryesore të xhiros së dytë të fazës së ligës në Champions. Të mërkurën mbrëma në Barcelonë, parisienët fituan 2:1. 
Golin e fitores së madhe e shënoi Gonçalo Ramos në minutën e 90-të. 

Skuadra e Luis Enriques arriti te fitorja me përmbysje të rezultatit. 

Ferran Torres kaloi në epërsi 1:0 Barçën në minutën e 19-të.
Në minutën e 38-të për 1:1 shënoi Senny Mayulu.
Pjesa e dytë ishte e hapur me raste nga të dy palët. Por më shumë shfaqën parisienët, që e mbajtën kryesisht të qetë Lamine Yamalin. 

Para golit të fitores, PSG-ja e goditi edhe shtyllën dhe krijoi disa raste të mira.
Me paraqitjen e së mërkurës, PSG-ja ka dëshmuar se sërish është pretendent serioz për titull të Evropës.