Fyerja e shqiptarëve nga kryeministrja serbe, Osmani e quan deklaratë fashiste – thotë se Serbia nuk dëshiron paqe

Kryeministrja serbe, Ana Brnabiq gjatë një konference të mbajtur dje, duke komentuar aksionin e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës në veri, nuk hezitoj t’i quaj përfaqësuesit kosovar “njerëz të malit”.

“Kemi punë me njerëz të cilët faktikisht kanë dalë nga mali. Për ata është njësoj nëse atje ka luftë ose jo, dhe kjo më shqetëson”, ka deklaruar Brnabiq.

Lidhur me këtë deklaratë të saj, pati reagime të shumta në Kosovë.

Kryetarja e komisionit për Punë të Jashtme, Vjosa Osmani e quajti deklaratë fashiste, deklaratën e kryeministres serbe.

Osmani madje kërkoi që Bashkimi Evropian të reagoj ndaj kësaj deklarate dhe deklaratave të mëparshme nga ana e përfaqësuesve serb.

“Është deklaratë fashiste që dëshmon se lidershipi serb akoma udhëhiqet nga logjika e kohës së Millosheviqit. Bashkimi Evropian duhet të reagojë ndaj deklaratave të tilla të cilat në të kaluarën kanë nxitur luftëra”, ka thënë Osmani në një prononcim për Telegrafin.

Deputetja e LDK-së, njëherësh shoti se kjo dëshmon se Serbia nuk është e interesuar në normalizim të marrëdhënieve me Kosovën.

“Kjo dëshmon se lidershipi aktual serb nuk është i interesuar të ketë paqe në rajon, por vetëm ta destabilizojë atë, përderisa pro-evropianizmin e kanë fasadë të rrejshme”, shtoi Osmani.

Pacolli përmes një postimi në Facebook, i dërgoi porosi kryeministres serbe se ajo nuk do të mund të hyjë në Kosovë për sa kohë ndjek një ideologji raciste dhe të sëmurë kundër popullit të Kosovës.

“E them me përgjegjësi që sa të jem unë ministër i jashtëm i Republikës së Kosovës, nuk do të lejojë që Kryeministrja serbe të hyjë në Kosovë, për sa kohë që ajo të ndjek një ideologji raciste dhe të sëmurë kundër popullit të Kosovës dhe ndërmjet etnive që jetojnë këtu”, ka shkruar Pacolli.

Duhet kujtuar se kjo nuk është hera e parë që zyrtarët serb fyejnë shqiptarët. Një gjë të tillë e kishte bërë edhe ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq.

Daçiq i kishte quajtur politikanët në Prishtinë se “janë kukulla të cilat i drejton dikush nga jashtë”