Ne nuk kërkojmë nga askush të na përkrahë, por kërkojmë vetëm respektimin e të drejtës ndërkombëtare.
Kështu citohet të ketë thënë sot ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, i cili as këso here nuk e ka kursyer fjalorin e tij fyes ndaj Kosovës e shqiptarëve. Për politikanët në Prishtinë ai tha se “janë kukulla të cilat i drejton dikush nga jashtë”.
Gjatë një ligjërate në Qendrën për operacione paqësore në Shtatmadhorinë e Ushtrisë së Serbisë Daçiq u shpreh se “nuk do të habitej që ministrave të Qeverisë së Serbisë t’ua ndalonin hyrjen në Kosovë, meqë kjo mund të pritet nga njerëz që vendosin tarifa 100 për qind” për produktet serbe, duke harrua gjithë ato që ka bërë ai e shteti i tij kundër Kosovës e shtetasve të saj.
Këtu nuk ka kurrfarë logjike racionale, kemi mbërri në sferën e çmendurisë, është shprehur Daçiqi, duke shtuar se “kjo bie në kundërshtim me marrëveshjet e Brukselit dhe nuk është çështje për, por për bashkësinë ndërkombëtare, për Bashkimin Europian se çfarë do të ndërmarrë. Disa vende perëndimore ka pjellë monstrum politik në Prishtinë dhe është koha të ndalet”, ka thënë ai.
“Nëse dikush kujton se do të ndalemi, se do të frikësohemi dhe se nuk do të luftojmë për interesat kombëtare e shtetërore, se do ta pranojmë pavarësinë e Kosovës, se i jemi frikësuar (Ramush) Haradinajt, është koha që dikush ta zgjojë nga ajo hipnozë”, citohet të ketë thënë Daçiq, transmeton Koha.net.
Ai po ashtu ka thënë se Shqipëria e Kosova po bisedojnë për fshirjen e kufijve dhe heqjen e doganës dhe të policisë kufitare dhe prandaj nuk ka kuptim që Serbia të marrë pjesë në mbledhjet e bashkëpunimit rajonal, nëse Europa nuk e sheh se për çka është fjala dhe sa është ajo dyfytyrësi e Shqipërisë dhe e Prishtinës, ka thënë Daçiq.







