Futja e vaksinave nga shteti serb në veri të Kosovës: Hoti zhvillon bisedë me komisionerin e BE’së

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka pasur sot një bisedë telefonike me komisionerin e BE’së për Fqinjësi e Zgjerim, Oliver Varhelyi, ku është diskutuar edhe futja e disa produkteve medicinale nga shteti serb në veri të vendit.

Zyra e kryeministrit përmes një njoftimi për media bën të ditur se Hoti ka ngritur shqetësimin për hyrjen ilegale të vaksinave anti-COVID në Kosovë, pa procedura të rregullta të importit apo donacionit për produkte medicinale, për të cilat nuk dihet origjina.

“Kjo sjellje e Republikës së Serbisë u konsiderua e papranueshme dhe institucionet e Kosovës kanë iniciuar veprimet e nevojshme ligjore ndaj personave të përfshirë në këtu veprime”, thuhet në njoftimin e Kryeministrisë.

Sa i përket vaksinës anti-COVID, Varhelyi, e siguroi Hotin se një sasi e vaksinës do të arrijë në Kosovë në të njëjtën kohë sikurse në vendet tjera të Ballkanit Perëndimor. E Hoti ka thënë se në kuadër të planeve të vaksinimit janë të përfshirë gjithë qytetarët e Kosovës, pa dallim.

Hoti në bisedën e ka siguruar Varhelyin se Kosova do të vazhdojë të ketë stabilitet institucional e fiskal dhe do ta trajtojë me prioritet menaxhimin e pandemisë COVID-19 dhe do t’i kryejë të gjitha obligimet që dalin karshi procesit të integrimit në BE