Futbollisti boshnjak ndiqet nga klubi për shkak të madhërimit të Ratko Mladiqit, thotë të jetë tradhtuar nga shoku serb

Për shkak të madhërimit të kriminelit të dënuar të luftës, serbit Ratko Mladiq, klubi boshnjak FK Modriça e ka ndjekur nga skuadra futbollistin Belmin Haliloviq.

Këtë e ka bërë të ditur të martën agjencia kroate e lajmeve, Hina.

Klubi Modriça ka qenë kampion i Bosnjë-Hercegovinës në të kaluarën, ndërsa tani luan në një rang të ulët të Republika Srpskas, që është pjesë e Bosnjë-Hercegovinës.

Ky lajm ka ngjallur reagime të shumta jo vetëm në komunitetin e sportistëve, pasi nuk mbahet mend në Bosnjë që një sportist i nacionalitetit boshnjak të madhërojë kriminelin serb të luftës, që është përgjegjës për krime të shumta të luftës dhe për gjenocidin në Srebrenicë.

“Për shkak të shkeljes së disiplinës së klubit dhe për dëmtim të imazhit të klubit, Modriça ka vendosur që të ndërpres kontratën me përforcimin e këtij edicioni, Belmin Haliloviq. Klubi distancohet nga gjëra të tilla dhe të ngjashme, ndërsa prej anëtarëve të tij kërkon që të koncentrohen vetëm në sport dhe në obligime profesionale”, thuhet në vendimin e klubit.

Për sajtin boshnjak “klix.ba”, Halilivoq ka sqaruar se për çka bëhet fjalë.

“Jam fajtor dhe kërkoj falje për të gjithë ata që i kam dëmtuar me këtë shaka pa shije. Është e tmerrshme ajo që kam bërë, por unë asnjëherë nuk kam pasur njollë në karrierë dhe nuk po mund të besoj se çka po më ndodhë. Një shok më ka tradhtuar për para. Gjithnjë jemi tallur. Për shembull ai si serb ka kënduar këngën e Halid Beshliqit ‘Sarajava, qyteti im’. Nëse ai më ka shkatërruar jetën, unë nuk ia dëshiroj të njëjtën atij. Sa i takon rastit konkret, ishte shaka interne. Ai më ka dërguar diçka për Naser Oriqin (komandant i luftës në Srebrenicë), kurse në vazhdim të talljes unë ia kam dërguar këtë për Ratko Mladiqin”, ka treguar Haliloviq versionin e tij.

Ai kishte nënshkruar kontratën vetëm katër ditë më parë. Sipas mediave boshnjake, është publikuar një porosi ku ai e glorifikon kriminelin Mladiq.

Ai ka publikuar një bisedë në rrjetet sociale, ku duket se po tallej me shokun e tij. Gjatë bisedës ka dërguar një fotografi të tij me fanellë me simbole serbe dhe nën të ka shkruar “Rroftë Ratko Mladiq”.

Haliloviq ka thënë se dy persona ia kanë montuar këtë. Pasi e kanë dërguar në klubin që e përjashtoi, i kanë kërkuar para. Pasi ai ka refuzuar, dy personat e kanë kërcënuar se do t’ia shkatërrojnë karrierën.

“Jetën time e kam shkatërruar. Kam frikë për familjen time. Kam frikë për prindërit. Familja nuk ka faj për atë që kam bërë. Në pyetje ishte sarkazma, një shaka pa vend. Dhe tani nuk guxoj të kthehem në Sarajevë. Më e rëndësishmja për mua është siguria e familjes. Unë u kërkoj falje të gjithëve. Nuk kam pasur ndërmend të ofendoj askënd”, ka thënë Haliloviq.