Futbollistët e Interit darkojnë bashkë për të festuar ngjitjen në vendin e parë

Interi mposhti Spalin 2-1 dje pasdite, falë një dygolëshi të Lautaro Martinez dhe mori kreun e renditjes në kampionatin italian, duke përfituar edhe nga gabimi i Juventusit, që u ndal në barazim 2-2 nga Sassuolo në “Allianz Stadium”.

Si një grup i vërtetë, me lojtarë që sakrifikojnë gjithçka për njëri-tjetrin dhe skuadrën në fushë, futbollistët e Interit po shfaqen po kaq të bashkuar edhe jashtë fushës së lojës, gjë që u pa qartë edhe në përfundim të takimit të djeshëm.

Kështu të gjithë futbollistët zikaltër u mblodhën mbrëmë për të darkuar bashkë dhe për të festuar ngjitjen në vendin e parë, si dhe për t’u dhënë një sinjal kundërshtarëve se ata janë gjithmonë bashkë dhe gati të synojnë objektiva madhorë.

Kjo nuk është hera e parë që futbollistët zikaltër mblidhen për të darkuar me njëri-tjetrin, pasi një veprim të ngjashëm e kanë bërë edhe pak ditë para startit të sezonit në Milano.