Futbolli rikthehet në arenën kryesore

Në arenën kryesore në vend, atë “Fadil Vokrri” në Prishtinë, do të rifillojë gara e futbollit kosovar. Futbolli është ndërprerë në mes të marsit për shkak të paraqitjes së koronavirusit. Ka pasur dilema nëse edicioni do të vazhdojë, por u vendos që kampanja aktuale megjithatë të kompletohet.

Ndeshja që shënon rikthimin e futbollit është ajo në mes të Prishtinës dhe Drenicës. Këto dy skuadra takohen të martën (nesër) nga ora 18:00, në gjysmëfinalen e parë të Kupës së Kosovës në futboll. Faza gjysmëfinale luhet me dy ndeshje. Në gjysmëfinalen tjetër, të mërkurën (16:00) takohen Ballkani e Feronikeli.

Gara e Kupës vlerësohet rrugë më e shkurtër drejt daljes në Evropë. Fituesi i Kupës luan në kualifikime të Ligës së Evropës.

Si Prishtina ashtu edhe Drenica shpresojnë të dalin në Evropë. Dhe për këtë ndeshja e rikthimit vlerësohet me shumë peshë për të dy skuadrat. Ndeshja do të luhet pa praninë e shikuesve.

“Pa besim nuk mund të arrish asgjë. Të gjithë jemi të vetëdijshëm për këtë rast unik. Duhet mobilizim maksimal si mental ashtu edhe fizik, taktik dhe teknik. Me gjithë vështirësitë Drenica mund të arrijë në finale. Në finale është një takim ku gjasat janë 50 me 50. Në finale kam pasur fat dhe shpresoj të më përcjellë edhe kësaj radhe”, ka thënë trajneri i Drenicës, Gani Sejdiu.

Te Prishtina janë të përkushtuar të krijojnë avantazh në ndeshjen e parë. Ndeshja e kthimit luhet më 17 qershor në Skënderaj.

“Po fillojmë sërish pas një pauze jo të dëshiruar nga të gjithë ne futbollistët. Mirëpo u përballem me pandemi, duke shpresuar se tani më e kemi kaluar. I kthehemi ndeshjes së parë kundër një kundërshtari të vështirë si Drenica. Tradicionalisht vuajmë ndaj Drenicës, sepse ka ekip të mirë dhe lojë të rrjedhshme tash e disa vite rresht. Mirëpo ne nuk kemi rrugë tjetër pos të hyjmë në ndeshje për ta mposhtur lojën e tyre dhe të arrijmë rezultat sa më pozitiv për ndeshjen e kthimit. Të gjithë e dinë synimin tonë, që të arrijmë në finale me çka besoj se do t’i afroheshim shumë garave ndërkombëtare”, ka thënë kapiteni i Prishtinës, Armend Thaqi për sajtin zyrtar të klubit.

Futbolli kosovar do të rifillojë në rrethana tjera, por shpresohet se emocionet nuk do të mungojnë.