Fushatë me “Erlli dita”, eskalon Mytaher Haskuka me fyerje ndaj gazetarëve e analistëve

Gjatë ditës së djeshme mediat raportuan për skandalin e radhës në komunën e Prizrenit, të udhëhequr nga Mytaher Haskuka i VV’së, ku sipas disa fotografive ai ka vendosur sloganin e partisë së tij në një park lojërash. Pas kësaj, ai ka reaguar në rrjete sociale duke fyer rëndë gazetarët e analistët.

“Erlli dita”, është mbishkrimi i vendosur në një park të lojarëve për fëmijë. As ky slogan që u përdor për fushatë nga Mytaher Haskuka i VV’së, nuk u shënua në mënyrën e duhur.

Gabimet e rënda drejtshkrimore, ngjallën shumë reagime nëpër rrjete sociale, e cila përveç fushatës së VV’së, përbënte edhe një skandal tjetër.

E pas kësaj, mbrëmë vonë në mesnatë Haskuka reagoi në rrjetin social Facebook, por duke fyer gazetarë e analistë, e duke i fajësuar të tjerët për parqet në komunën që vet ai e drejton.

“Dy gjëra janë të pafundme: universi dhe marrëzia njerëzore…” pat thënë Ajnshtajni. E kush më mirë me e vërtetu këtë thënje se një zavendesministër që as vet nuk di detyrat e tij, disa anal-ista e gazetarë që kanë degradu këtë profesion, dhe opozitarët e Prizrenit të cilët miren me punë fëmijësh e shpifjen e kanë bërë standard. Po me vjen keq me çfarë miren, shumë dëshpëruese. Me të vërtet mendimi i shëndosh është pasuria më e madhe!.”, ka shkruar Haskuka mbrëmë.

Në hapësirën të cilën fëmijët supozohet ta shfrytëzojnë për të luajtur, Haskuka ka vendosur që ta hedhë mbishkrimin e sloganit të Lëvizjes Vetëvendosje, “Erdhi dita”.

Sidoqoftë, as këtë nuk arriti ta bëjë në mënyrë të duhur, pasi që fjalën “erdhi”, punëtorët të cilët i angazhoi komuna e kanë shkruar gabim, “erlli”.

Nuk dihet se kur është ndërtuar kjo hapësirë për lojëra të fëmijëve, por mbetet skandaloz fakti që edhe ky park po shfrytëzohet për fushatë, tani që kanë mbetur edhe një vit nga mbajtja e zgjedhjeve lokale.