Furrtari që u mbyt dje nga kamioni në Gjilan varroset sot në Prizren (FOTO)

Qerim Çoçaj nga Hasi i Prizrenit, i cili punonte si furrtar në Gjilan, mbeti i vdekur në vend nga aksidenti që ndodhi dje në qendër të qytetit të Gjilanit. I ndjeri do të varroset sot në varrezat e qytetit të Prizrenit.

Pwr ngushëllime në familjen Çoçaj, kanë shkuar edhe familja shoferit të kamionit, raporton Express.

Qytetarë të shumtë janë mbledhur për ngushëllime para furrës në qendër të Gjilanit, ku punonte i Qerim Çoçaj, i cili mbeti i vdekur dje pasi u godit nga një kamion që po transportonte ujë.

I ndjeri do të varroset sot në varrezat e qytetit të Prizrenit, ndërkohë që familja ka hapur të pamet.

Ndërkohë, që të marrin pjesë në varrim familjen e shoferit, i kishte ftuar edhe djali i të ndjerit pas deklaratave të babait të shoferit të kamionit, i cili tha se ka dhembje të madhe për personin që humbi jetën, ashtu sikur të kishte qenë djali i tij i vdekur e jo shkaktari.

Madje tha se do të kishte preferuar më shumë që djali i tij të ishte në vend të të ndjerit.

Po ashtu, ai tha se i gjithë aksidenti ka qenë pa dashje dhe se djali i tij kishte dalë për të punuar për të fituar bukën dhe asgjë më shumë.

Çoçaj i ka ftuar ata në varrim, që ta ndajnë dhimbjen bashkë.

“Unë jom biri i të ndjerit. Axhë, as ai s’ka dashtë kjo me ndodhë… Fatkeqësisht baba im qëlloi aty… familjarët e tu i ftojmë që të na vijnë në varrim e në të pame… ta ndajmë dhimbjen bashkë”, ka shkruar biri i të ndjerit, Leutrim Çoçaj, në një prej postimeve në Facebook.

Ndryshe, kamioni transportues ishte në shpejtësi të madhe dhe ka goditur gjithçka para vetes, duke shkaktuar aksident zinxhiror dhe shumë dëme në qytet.

Nga goditjet e kamionit kanë mbetur të lënduar mbi 20 persona dhe janë shkatërruar mbi 10 vetura.Disa prej të lënduarve po trajtohen në Spitalin Rajonal të Gjilanit, e disa të tjerë të cilët janë në gjendje më të rëndë shëndetësore janë dërguar QKUK.