Fuqia e Abdixhikut si kryetar i LDK-së: A do t’i shkojë fjala te të gjithë deputetët për Vjosa Osmanin

Vjosa Osmani është duke i bërë përpjekjet e fundit për t’u ulur edhe një herë në karrigen e Presidentit, por kësaj radhe jo si ushtruese detyre. Këtë po tenton ta bëjë duke e kërkuar përkrahjen e siç ka thënë të “ish-kolegëve” të saj në LDK, pasi votat e deputetëve të VV’së, nuk ia sigurojnë postin e të parës së Shtetit. LDK në anën tjetër është duke bërë kalkulime dhe konsultime të brendshme, nëse duhet ta votojë ose jo Vjosa Osmanin për shefe të Shtetit.

Zgjidhja e çështjes së Presidentit, përveç stabilizimit të institucioneve të Kosovës, po shihet edhe si sfidë për partitë politike, veçanërisht për Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Opozitarizmi i LDK’së duket se vihet në pikëpyetje me votimin pro Vjosa Osmanit, e cila është kandidate e Lëvizjes Vetëvendosje për Presidente, por votimi kundër saj, mund t’i kushtojë partisë së Lumir Abdixhikut me humbje edhe më të madhe të elektoratit.

Për sfidën që ka para vetes, LDK’së i duhet unitet, deri në marrjen e një vendimi i cili nuk e rrezikon nga ndonjë përçarje e brendshme.

Njohësit e zhvillimeve politike në vend, kanë deklaruar për Gazetën Express se sipas deklarimeve të deritanishme, duket se Lidhja Demokratike e Kosovës do të votojë pro Vjosa Osmanit në seancën për Presidentin.

Sipas tyre, kjo do t’i shërbejë edhe vetë LDK’së, për ta rikthyer sado pak elektoratin të cilin në zgjedhjet e 14 shkurtit, Vjosa Osmani e çoi në Lëvizjen Vetëvendosje të Albin Kurtit.

Analisti Imer Mushkolaj, ka deklaruar se pikërisht kjo duket se është strategjia e LDK’së, për votimin pro Osmanit.

“Qysh po e shoh disponimin e LDK’së, në përgjithësi duket se do të jenë pro zgjedhjes së Osmanit Presidente. Besoj se është strategji e LDK’së për kthimin e elektoratit që Osmani me listën e saj e kanë çuar në Vetëvendosje, më tepër se të arsyetojnë me logjikën se po e bëjnë për të mirën e vendit. Nëse LDK vendimin e merr për arsye strategjike, mendoj se është në rregull, sidomos duke e marrë parasysh në të cilën gjendet dhe rezultatin e dobët në zgjedhje”, ka deklaruar Mushkolaj.

Mushkolaj thotë se votimi ose jo i Osmanit për Presidente, do të tregojë edhe fuqinë e kryetarit të ri të LDK’së, Lumir Abdixhikut, që ka në parti.

Madje, Mushkolaj e quan këtë edhe si një test për Abdixhikun.

“A do ta votojë ose jo unanimisht Grupi Parlamentar i LDK’së Osmanin për Presidente, do të tregojë edhe sa i fuqishëm është Abdixhiku si kryetar i ri i partisë. Do të thotë, ai do të provojë “ta ketë në dorë” Grupin Parlamentar, për shkak se deri tash LDK-ja ka vuajtur nga situatat kur numër i caktuar i deputetëve nuk kanë votuar sipas organeve të partisë, siç ka qenë rasti i demarkacionit dhe votimit të Thaçit për President, e kjo pastaj i është hakmarrë LDK-së në kuptimin e përçarjeve brendapartiake. Votimi ose jo i Osmanit është test për LDK-në, votimi ose jo unanim, është test për Abdixhikun”, ka thënë Mushkolaj për Express.

Por, Mushkolaj thotë se bazuar në deklaratat e deritashme, është pak e besueshme se Agim Veliu, Avdullah Hoti e Driton Osmanaj ta përkrahin Vjosa Osmanin për Presidente të vendit.

Ai deklaron se ata duhet të mendojnë përtej inateve personale, sepse votimi pro Osmanit është interes i LDK’së për të përfituar nga kjo votë.

“Në bazë të deklaratave publike, e kemi parë qasjen e Agim Veliut, që është e vështirë të besohet se do të votojë pro. Po ashtu, Driton Selmanaj e Avdullah Hoti, pra po flasim rreth deklarimeve të tyre publike. Por, edhe këta tre do duhej të mendonin përtej inateve personale, sepse stratigjikisht është i interesi i LDK’së ta votojë dhe të përfitojë nga kjo votë, apo do t’i ruajnë inatet dhe do të rrezikojnë në njëfarë forme që LDK të mos mund të rritet ashtu siç i ka planet kryetari i ri, po e lidhi këtë me elektoratin e LDK’së është bartur në VV”, ka deklaruar Mushkolaj.

I pyetur LDK’ja do t’i kërkojë Osmanit ndonjë favor për ta votuar si Presidente, Mushkolaj thotë se e vetmja marrëveshje që mund të bëjnë është që Osmani të mos dalë me kandidatë në zgjedhjet lokale, në komunat ku mund ta rrezikojë LDK’në.

“E shoh të mundshme që në disa komuna, nëse zonja Osmani do ta rrezikonte  LDK’në, mund të ndodhë që ajo të mos propozojë kandidatë të saj, e kjo mund të jetë një ndër marrëveshjet me Abdixhikun, edhe pse jo publikisht”, ka deklaruar Mushkolaj.

Se LDK do ta votojë Osmanin për Presidente të vendit, mendon edhe analisti Astrit Gashi.

Gashi ka deklaruar për Express se nëse LDK nuk e voton Osmanin, do të dëshmonte paqëndrueshmëri  dhe kjo do t’i sillte pasoja të mëdha.

“LDK tash ka trasuar rrugën që pashmangshëm shpie drejt një vendimi pro krijimit të kuorumit për zgjedhjen e Vjosa Osmanit Presidente të Kosovës, tashmë thuaja se çdo devijim nga rruga që e trasuan javën e kaluar, do të ishte me pasoja shumë më të mëdha, do të dëshmonte paqëndrueshmëri e mungesë vendimmarrje, e skedejimi edhe humbje besimi më të thellë”, ka deklaruar Gashi.

Por, Gashi thotë se LDK ka gabuar në momentin kur këtë proces e ka ndërtuar mbi kalkulime afatshkurta.

E për këtë, Gashi thotë se LDK nuk do të marrë merita, por do t’i thuhet se Osmanin e ka votuar për ta shpëtuar veten nga zgjedhjet.

 “Problemi i LDK-së është se tërë këtë proces e ka ndërtuar mbi kalkulime afatshkurta. Në vend të një qëndrimi politik ideor, LDK tërë këtë proces e ka lënë të nënkuptohet e përçuar mesazh të gabueshëm të një matematike për të kthyer ca vota të humbura, si një tentim për të shmangur nga konkurrenca politike Vjosa Osmanin, e si rrjedhojë në fund as nuk do të falënderohet kush e as t’i jep merita, por përkundrazi do t’i thonë se tërë këtë gjë e ka bërë për të shpëtuar veten nga shkuarja në zgjedhje”, ka deklaruar Gashi.

Sipas Gashit, LDK e ka humbur shansin që të përfitojë nga ky veprim, që do t’i jepte vota shtesë në zgjedhjet lokale.

“Së këndejmi, unë besoj që në mungesë të ndërtimit të një narrative ideore dhe fokusimit në matematikë e matje disponimesh të brendshme, LDK ka humbur shansin që të kapitalizojë politikisht mbi këtë veprim e që ndoshta frytet e saj t’i mbledhë si vota shtesë në zgjedhjet komunale të vjeshtës. Si rrjedhojë, kam frikë se ky veprim pas disa muajsh do të shihet si një asgjë. Si një lojë me shumën 0”, ka deklaruar Gashi.

Ndryshe, kreu i LDK’së, Lumir Abdixhiku dhe nënkryetari Lutfi Haziri, të mërkurën janë takuar me kandidaten për Presidente të vendit, Vjosa Osmanin.

Pas këtij takimi, të dyja palët kanë deklaruar se janë marrë vesh që të kenë edhe një takim tjetër.

Abdixhiku deklaroi se do ta njoftojë kryesinë e partisë për detajet që janë biseduar me Osmanin, e më pas do të takohen edhe një herë për të shprehur qëndrimin përfundimtar të LDK’së rreth votimit pro ose kundër Osmanit.

Kemi diskutuar platformën që pretendentja për presidente dëshiron ta ndërtojë.  Në këtë platformë kemi dhënë diskutimet tona. S’kemi vërejtje. Kemi diskutuar edhe pozicionin e saj karshi akterëve partiak, kemi avancuar në këtë aspekt. Do të takohemi edhe një here. Do t’iu kthehemi organeve të LDK’së për të diskutuar dhe për të pasur një qëndrim përfundimtar”, ka deklaruar Abdixhiku.

Ndërkaq Osmani tha se pret mbështetje nga ish-kolegët e saj në LDK dhe deputetët tjerë në Kuvend, për ta votuar si Presidente.

“Ishte bashkëpunim shumë kolegial me njerëz që kam bashkëpunuar në këto 20 vitet e fundit. Pasi prezantova platformën, kreu i LDK-së dhe nënkryetari kërkuan që të rikthehen në organet e partisë  dhe të diskutojnë në detaje për këto që i diskutuam sot. Pres mbështetje nga ish kolegët e mi dhe të të gjithë deputetëve në Parlament”, ka deklaruar Osmani.