Foto

FSK përforcon kapacitetet me trajnimin e kontrollit të turmave në bashkëpunim me Karabinierët italianë

Forca e Sigurisë së Kosovës ka njoftuar se në bashkëpunim me ekipin mobil trajnues nga Karabinierët Italian, Policia Ushtarake e FSK-së gjatë kësaj jave ka realizuar “Trajnimin për Kontrollimin e Turmave”.

“Pjesëtarët janë trajnuar në aspektin teorik dhe praktik në kontrollimin e turmave si dhe organizmin dhe formacionet e operimit në ambiente dhe situata të ndryshme. Gjithashtu pjesëtarët u sfiduan edhe në aspektet e përdorimit të pajisjeve taktike dhe përvetësimin e taktikave të reja nga instruktorët e Karabinierëve Italian me qëllim të ngritjes së gatishmërisë operacionale, ndërveprueshmërisë me partnerët dhe përfitimit të shkathtësive të reja konform standardeve evropiane”, thuhet në njoftimin e FSK-së.

FSK ka shtuar se bashkëpunimi dhe shkëmbimi i përvojave me ekipe mobile italiane kontribuon në ngritjen profesionale të Policisë Ushtarake të FSK-së, duke bërë që detyrat dhe misioni që ka Policia Ushtarake të realizohet në mënyrë sa më efikase.