Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK), ka pranuar një sasi të automjeteve të blinduara që janë prodhim i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Liridona Gashi, zëdhënëse e Ministrisë së Mbrojtjes tha se këto automjete të blinduara janë prokuruar bazuar në një program të blerjeve të veçanta adresuar në planin bilateral të blerjeve ‘shtet më shtet’ nga ShBA.
Gashi tha se pritet që të pranojnë edhe një sasi tjetër të automjeteve të tilla.
“Pas përfundimit të procesit të liferimit do të bëhen të ditura edhe detaje të tjera. Këto janë informacionet të cilat mund të ndajmë me publikun në këtë fazë”- tha ajo për KALLXO.com.
Kosova synon të ndërtojë flotën e helikopterëve me qëllim të ngritjes së kapaciteteve ajrore të mbrojtjes në Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK). Një gjë e tillë planifikohet të bëhet me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përmes një Marrëveshjeje, nisma për të cilën është miratuar tashmë në Qeverinë e Kosovës.
Kosova në vitin e kaluar kishte nisur kërkesë Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të blerë sistemin raketor kundërtank “Javelin”.
Forca e Sigurisë së Kosovës ëshë furnizuar në mënyra të ndryshme me armatim nga SHBA-ja.
Në vitin 2024, Departamenti Amerikan i Shtetit kishte aprovuar kërkesën e Kosovës për blerjen e 246 raketave Javelin nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kostoja me vlerë 75 milionë dollarë.
“Republika e Kosovës ka kërkuar të blejë 246 raketa Javelin FGM-148F, duke përfshirë 6 raketa fluturuese dhe 24 Njësi lëshimi të Komandës së Lehtë Javelin”– kishte bërë të ditur Agjencia e Bashkëpunimit të Sigurisë dhe Mbrojtjes (DSCA) në Uashington.
Në vitin 2018, Qeveria e Kosovës kishte nënshkruar kontratë ndërmjet kompaninë amerikane AM General për pajisjen e FSK-së me 51 automjete të tipit Humvee.
Dy vjet më vonë, në vitin 2020, Kosova kishte blerë edhe automjete të tjera ushtarake nga SHBA-ja.
Ndërkaq më 2021, Qeveria amerikane i dhuroi Kosovës 55 automjete të tipit ASV (Armored Security Vehicle).
Në po të njëjtin vit, Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim për blerjen e katër dronëve për FSK-në në vlerë rreth 11 milionë euro.
Shtimi i kapaciteteve të FSK-së hynë në kuadër të Planit Gjithëpërfshirës të Tranzicionit të FSK-së në Ushtri. Në Planin e Tranzicionit parashihet që numri i pjesëtarëve të FSK-së të arrijë në 5 mijë aktivë dhe 2 mijë e 500 të tjerë rezervë.
Se Kosova ka nisur gjenerimin e opsioneve për ndërtimin e flotës ajrore, Ministria e Mbrojtjes kishte bërë të ditur në ditët e para të vitit 2025.
Ndër të tjera, Ministri Maqedonci është shprehur se Kosova ka mbështetje nga SHBA-ja për blerjen edhe të sistemeve të tjera, të cilat do të bëhen pjesë e FSK-së në kuadër të fazës së tretë të tranzicionit, që sipas tij, ky proces do të zhvillohet nga tani deri në vitin 2028.
Me Planin e Tranzicionit, më 2028, FSK-ja pritet të shndërrohet ushtri duke arritur të gjitha kapacitetet operacionale për “ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, si dhe të qytetarëve, pronave dhe interesave të vendit”.
Procesi i transformimit të FSK-së në forcë me kapacitete ushtarake ka hyrë në vitin e shtatë të Planit dhjetëvjeçar.
Procesi i transformimit të FSK-së në Forcat e Armatosura të Kosovës nisi në dhjetor të vitit 2018, kur Kuvendi i Kosovës miratoi ndryshimet ligjore për ta ndryshuar mandatin e FSK-së.
Buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes, e cila po ashtu ka nën menaxhim Forcën e Sigurisë së Kosovës, është rritur dukshëm nga viti në vit. Për vitin 2025 ka një rritje prej 55 milionë euro më shumë, krahasuar me vitin e kaluar.
Për sivjet, janë 208 milionë euro buxhet për këtë Ministri. Ndërsa, për vitin 2024 ishin ndarë gjithsej 153 milionë euro.
Përndryshe, në vitin 2024 buxheti i tërësishëm i Kosovës ishte 3 miliardë e 314 euro, kurse 3 miliardë e 212 milionë euro në vitin 2023. Ndryshe prej rritjes 100 milionëshe që ndodhi në vitin 2024, rritja për vitin 2025 do të jetë 294.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti më 27.11.2024 në Ditën e Forcës kishte nënshkruar Vendimin për Themelimin e Komisionit Ndërministror për qëllim të vlerësimit dhe nisjen e procedurave dhe negociatave lidhur me hapjen e fabrikës së municionit dhe për laboratorët për dizajnimin e fluturakeve pa pilotë.
“Një Ushtri që për një kohë aq të shkurtër është armatosur kaq shumë sa kjo e jona, ka nevojë për ta siguruar dhe garantuar operancionalitetin e plotë dhe qëndrueshmërinë tërësore” – kishte thënë Kurti.







