FSK fton serbët t’i bashkohen

Forca e Sigurisë së Kosovës është në kërkim të plotësimit të vendeve të lëna bosh nga pjesëtarët e komunitetit serb, të cilët dy-tre muajt e fundit kishin braktisur radhët e saj.

Rreth 100 pjesëtarë të FSK-së nga komuniteti serb, kishin braktisur këtë forcë pas presioneve që ishin ushtruar ndaj tyre nga autoritetet serbe në Beograd.

Megjithatë, ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrustem Berisha, thotë se ka interesim te të rinjtë serbë për të qenë pjesë e ushtrisë së Kosovës. Sipas tij, për procesin e tanishëm të transformimit të FSK-së kjo çështje nuk është problem, transmeton ballkani.info.

“Realisht, interesimi është shumë i madh për plotësimin e vendeve të punës, dhe ne si FSK, dhe unë si ministër dhe stafi im, jemi shumë të përkushtuar që sa më parë t’i plotësojmë këto vende dhe sa më parë të hapim konkursin për plotësimin e vendeve të punës nga komuniteti jo shumicë, realisht nga komuniteti serb” ka thënë ndër të tjerash ministri aktual i FSK-së.

Kujtojmë se tre draft ligje për transformimin e Forcës së Sigurisë të Kosovës në ushtri veçse janë hartuar dhe pritet të hidhen në votim në parlamentin e Kosovës.