Dimal Basha

“Fryhet” deputeti i VV-së: Zgjedhjet do të mbahen për ta parë kush del në vend të dytë

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha ka ironizuar me opozitën pasi janë duke kërkuar zgjedhje në vend. Sipas Bashës gara do të zhvillohet për vendin e dytë.

Ai në një intervistë në RTV Dukagjini ka thënë se VV-ja është rehat dhe se vendi i parë tashmë dihet.

“Kemi me i harxhu 5 milionë euro me pa se kush del në vendin e dytë. Qiky është fakti në terren. Unë po them që me u bë më interesant le të dalin bashkë”, tha Basha.

“Opozita s’janë bashkë. Janë të ndarë. AAK-ja e lyp mandatin e rregullt deri në fund.  LDK-ja nuk e di çka don LDK-ja edhe ata vet s’besoj që e dinë… Dorëheqje jo. Ne jemi rehat, për shkak që shumë sene janë duke shkuar mirë për qytetarët e Republikës së këtij vendi edhe mandati që na e ka dhënë qytetarët është katër vjet. Po flas rehat në kryerjen e punëve që janë duke u bë. Mendoj që rehatia jonë janë punët e mira që janë duke u bërë për qytetarët e Kosovës”, ka thënë Basha.

Basha tutje tha se asnjëherë brenda grupit parlamentar të LVV-së nuk është diskutuar puna e shkuarjes në zgjedhje.

“Brenda grupit tonë parlamentar asnjëherë nuk e kemi diskutuar se kur do të shkojmë në zgjedhje , për të qenë shumë i sinqerte. Mendoj që brenda grupit parlamentar nëse nesër diskutohet ka mendime të ndryshme se kur duhet të shkojmë në zgjedhje. Mendoj që kemi punë të mira që janë në rrugë e sipër që duhet me i përfundu dhe me e çu mandatin deri në fund”, tha ai.