“Fronti Evropian” është shprehur i bindur në fitoren e kandidatit të tyre për President të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, posaçërisht në kampin shqiptar, pas përfundimit të procesit të votimit.

Këto pritje në emër të koalicionit i ka bërë Arbër Ademi, deputet i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) – udhëheqëse e “Frontit Evropian” – në një konferencë për media pas mbylljes së vendvotimeve.

“Presim që fitorja të jetë historike me një diferencë të madhe për kandidatin tonë”, tha Ademi.

Nga ky koalicion kanë thënë se kanë pritje që Osmani të kalojë në raundin e dytë.

“Nga të dhënat që i kemi për votimet e diasporës, Bujar Osmani, renditet i dyti… presim që ky vullnet të reflektohet edhe brenda vendit, pasi që të numërohen të gjitha votat”, shtoi Ademi.