Serbia po pezullon eksportin e armëve dhe pajisjeve ushtarake të prodhuara në Republikën e Serbisë, njoftoi Ministria e Mbrojtjes e Serbisë.

Kjo po ndodh në përputhje me udhëzimet e presidentit serb, komandantit suprem të Forcave të Armatosura të Serbisë dhe kryetarit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Aleksandar Vuçiq, transmeton Ballkani.info.

“Në të ardhmen, për eksportin e armëve dhe pajisjeve ushtarake të prodhuara në fabrikat e industrisë së mbrojtjes, përveç pëlqimit të ministrive dhe agjencive tjera kompetente, do të kërkohet edhe pëlqimi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare në përputhje me nenin 16, paragrafi 4 i Ligjit për eksportin dhe importin e armëve dhe pajisjeve ushtarake”, thuhet në komunikatë.

Kujtojmë se Shërbimi i Inteligjencës së Jashtme Ruse njoftoi sot se municionet e prodhuara në ndërmarrjet e mbrojtjes në Serbi, kryesisht për sisteme të rënda me rreze të gjatë, po dërgohen në vendet e NATO-s në interes të Ukrainës në formën e kompleteve dhe pjesëve të plota për montim.

Deklarata shtoi se, sipas informacioneve të marra nga Shërbimi i Inteligjencës së Jashtme Ruse, “ushtria ukrainase është shumë mirënjohëse ndaj prodhuesve serbë të armëve dhe municioneve për kontributin e tyre në ruajtjen e gatishmërisë luftarake të Forcave të Armatosura të Ukrainës”.

Presidenti serb tha para sulmit izraelit ndaj Iranit se Serbia është e vetmja në Evropë që bën biznes me Izraelin në fushën e municioneve ushtarake.

Në Serbi ka disa fabrika që prodhojnë armë dhe pajisje ushtarake. /Ballkani.info/